Protestat/ PD kërkon interpelancë urgjente me Ramën
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike këtë të premte ka depozituar kërkesën ku ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama në seancën më të afërt plenare, duke argumentuar se shqetësimet e ngritura prej javësh nga protestuesit në vend janë mbështetur tashmë edhe nga Parlamenti Europian.
Në një njoftim për shtyp, demokratët theksojnë se protestat, të nisura më 31 maj 2026 nga qytetarë të paangazhuar politikisht, kanë sjellë në vëmendje çështje që lidhen me mungesën e transparencës në projekte zhvillimore, keqqeverisjen, korrupsionin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Sipas PD-së, protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit të investimeve strategjike, anulimin e kuadrit ligjor të Paketës së Maleve, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Opozita argumenton se një pjesë e këtyre kërkesave janë reflektuar edhe në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian më 17 qershor 2026 mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Në dokument, eurodeputetët shprehin shqetësim për zgjatjen e ligjit për investimet strategjike dhe kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, duke paralajmëruar për rreziqe ndaj zonave me vlera të larta ekologjike.
Rezoluta i referohet gjithashtu protestave që lidhen me një projekt zhvillimi në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe i bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin një moratorium të menjëhershëm për lejet dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.
Në këto kushte, Grupi Parlamentar i PD kërkon që kryeministri Rama të paraqitet në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi masat që ka ndërmarrë qeveria për adresimin e shqetësimeve të ngritura në rezolutën e Parlamentit Europian, të cilat, sipas opozitës, përkojnë me kërkesat e qytetarëve që prej afro tre javësh protestojnë në mënyrë paqësore në vend.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.