Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike
I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” analizoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, duke u ndalur te ndikimi i protestës dhe mesazhet që ajo ka përcjellë në shoqëri.
Qiraxhi tha se deklaratat e tij nuk i drejtoheshin drejtpërdrejt qytetarëve, por ishin një reagim ndaj presionit që protesta ka ushtruar mbi klasën politike.
“Nuk besoj se Rama e ka shumë me qytetarin deklaratën e sotme. Qytetari ka vendosur në pozitë të vështirë klasën politike. Rama është produkt i një partie politike, pavarësisht se përpiqet të na instalojë idenë se është i vetmi dhe nuk ka një parti pas vetes. Nëse pranojmë që qytetarët kanë dalë për të ushtruar presion për demokratizim, atëherë ky presion është mbi Partinë Socialiste, Partinë Demokratike, strukturat e reja që mund të ndërtohen, median dhe shoqërinë civile”, u shpreh ai.
Qiraxhi tha se protesta ka ndryshuar mënyrën se si po diskutohet për zhvillimet politike në vend, duke theksuar se tashmë standardet e debatit publik janë rritur.
“Dy muaj më parë, e gjithë narrativa publike dhe hapësira publike orientoheshin ndryshe. Ajo që ka ndodhur pas protestës është që gjithçka po e trajtojmë vendin me standarde të reja. Po diskutojmë se si duhet ta bëjë më mirë protestën vetveten, por edhe se si duhet ta qeverisë Rama më mirë vendin. Jemi duke folur për shumë mundësi për protestën më të mirë që ka prodhuar ndonjëherë individi qytetar në Republikën tonë, e pavarur nga partitë politike, si në qëndrueshmëri, ashtu edhe në masivitet. Qytetarët erdhën në shesh dhe i treguan pjesës tjetër të Shqipërisë se në këtë vend ka nevojë për demokratizim të shoqërisë. Ne e kemi gjuhën te Rama, sepse ai drejton, por është shumë interesant elementi i vendosjes së barazisë mes Ramës dhe Berishës, për të denoncuar një lloj klase politike”, u shpreh ai.
Sipas Qiraxhit, protesta nuk duhet të lexohet vetëm si kundërshtim ndaj një qeverie, por si një kërkesë më e gjerë për ndryshim në mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe aktorëve politikë.
“Nëse ikën Rama, të vij unë, nuk është më ajo që kërkon qytetari. Në këtë kuptim, protesta duhet lexuar si një presion i madh për demokratizimin e shumë sektorëve të shoqërisë. Vendin do ta meritojë ta qeverisë ai që do ta lexojë më mirë protestën dhe do të prodhojë një model më demokratik”, deklaroi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.