Rama e përqafon papritur nga pas kryeministrin belg në Berlin, De Wever bën shaka: Shqiptari gjithmonë vjen nga prapa
Momenti i pazakontë ndodhi në Kancelarinë Federale në Berlin, gjatë takimit të liderëve evropianë për Ukrainën; pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale.
Kryeministri Edi Rama shkaktoi një moment të pazakontë gjatë takimit të liderëve evropianë në Berlin: gjatë një deklarate për mediat, ai iu afrua nga pas kryeministrit belg Bart De Wever dhe e përqafoi papritur, siç njofton Shqiptarja.com.
De Wever, që po fliste për mediat, u surprizua, buzëqeshi dhe nuk e ndërpreu deklaratën; sipas mediave ndërkombëtare, ai iu drejtua gazetarëve me shaka: “Shqiptari do të jetë aty. Ai gjithmonë vjen nga prapa”, duke nxitur të qeshura në sallë. Pamjet e momentit janë bërë virale në rrjetet sociale.
Ngjarja ndodhi në ambientet e Kancelarisë Federale Gjermane, ku liderët evropianë ishin mbledhur për të diskutuar luftën në Ukrainë, mbështetjen për Kievin dhe të ardhmen e sigurisë evropiane.
Rama njihet për marrëdhëniet e ngrohta dhe humorin me liderët evropianë dhe tërheq shpesh vëmendjen në samite me gjeste jashtë protokollit. Pas takimit, ai mori pjesë në një konferencë për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku theksoi nevojën e unitetit evropian dhe mbështetjes për Ukrainën, duke thënë se nuk ka pasur kurrë një nivel kaq të lartë besimi dhe kohezioni mes aleatëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.