Rama: Flamingot na treguan kërkesa legjitime, sorrat janë balta e sharlatanit, korbat jargët e urrejtjes
Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalimin e paralajmëruar të “reflektimit” gjatë mbledhjes së qeverisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Ai u ndal te protestat e zhvilluara në bulevard, duke i cilësuar si një shenjë e rritjes së ndjeshmërisë qytetare dhe e transformimit të shoqërisë shqiptare.
Rama tha se bulevardi, dikur vend ku protestuesit humbnin jetën, sot është kthyer në sheshin e një proteste qytetare për mbrojtjen e një zogu dhe të një lagune.
“Simbol i këtij ndryshimi është vetë bulevardi. Nga një vend ku dikur vriteshin protestues, sot është kthyer në sheshin e një proteste qytetare për mbrojtjen e një zogu dhe të një lagune. Ky është transformim i thellë shoqëror, dëshmi e rritjes së ndjeshmërisë ndaj natyrës dhe standardeve evropiane.”
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama solli shembullin e një fermeri nga Lushnja, të cilin e quajti “Arbër”, për të ilustruar mungesën e empatisë nga institucionet dhe vështirësitë që hasin qytetarët në përballjen me administratën.
Rama tregoi se Arbëri kishte nisur bujqësinë me një hektar manaferra, më pas kishte kaluar tek kajsitë e një varieteti të patentuar dhe sot zotëron 12 hektarë.
“Ai kishte lidhur marrëveshje me një kompani italiane dhe kishte përgatitur një plan biznesi prej 1.5 milion eurosh për të investuar në 80 hektarë tokë në Vlorë, por për tre vite me radhë nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga ministria e bujqësisë. Arbëri ka tetë vjet që merret me bujqësi. E nisi me një hektar manaferra, kaloi tek kajsitë e një varieteti të patentuar dhe sot ka 12 hektarë. Ka lidhur marrëveshje me kompani italiane dhe ka përgatitur një plan biznesi prej 1.5 milion eurosh për të investuar 80 hektarë tokë në Vlorë. Tre vjet priti përgjigjen nga ministria e bujqësisë, as po, as jo. Në mesazhin e tij shkruajti: ‘Nuk e di nëse jam sorrë, flamingo apo korb, jam një katundar që e dua sadopak këtë vend.’ Ky është realiteti i bulevardit të flamingove.”
Rama pranoi se mungesa e empatisë dhe arroganca e zyrtarëve është bërë e padurueshme për qytetarët.
“Në atë pasqyrë të bulevardit pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë nga njerëzit e shtetit. Arroganca e zyrtarëve pa gjak, që u flasin sikur të kenë karrige në vend të fytyrës, ndërkohë fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu nuk po flas fare për ata që kanë kërkuar lekë, por për ata që nuk dinë të shohin njeriun. Ky është problemi më i madh: mungesa e empatisë, mungesa e aftësisë për të kuptuar përvojën e qytetarit në marrëdhënien e tij me shtetin.”
Në vijim, kreu i qeverisë bëri dallimin mes flamingove, sorrave dhe korbave, duke i përdorur si metafora për qytetarët dhe kundërshtarët politikë.
“Dua ta dëgjojnë të gjithë Arbërit e atij bulevardi: ata nuk janë as sorra, as korba, ata janë flamingo. Flamingo nuk është kush na jep të drejtë gjithmonë, por kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari. Flamingot janë revolta paqësore e brendshme e qytetarit. Sorrat janë balta e pështirë e sharlatanit. Flamingot janë kërkesa legjitime e llogarisë qytetare, korbat janë jargët e urrejtjes ekstremiste.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.