Rama mbërrin nga SHBA sot në orën 13:00, mediat: Çfarë pritet të deklarojë nga salla VIP në Rinas
Kryeministri Rama, ora 13:00 mbërrin nga New York, burime qeveritare tregojnë për Top Channel çfarë pritet të deklarojë nga salla VIP në Rinas.
Njoftimi i Kryeministrit Edi Rama për t’ju drejtuar me një mesazh shqiptarëve nga salla e shtypit të Aeroportit “Nënë Tereza”, sapo të mbërrijë nga New York, ka prodhuar një mori hamendësimesh dhe aludimesh.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke raportuar nga terminali VIP në Rinas për edicionin e lajmeve të orës 12:00, tha se kryeministri pritet të mbërrijë rreth orës 13:00.
“Gjithçka mbetet hermetike për përmbajtjen e asaj që pritet të deklarojë kryeministri. Por një burim qeveritar, i cili ndodhej me kryeministrin në SHBA, i pyetur nga Top Channel, nuk dha detaje specifike, por u shpreh se ‘do të jetë një qëndrim për situatën aktuale’”, raportoi gazetari Muhamed Veliu.
Nuk përjashtohet mundësia që kryeministri të flasë për mënyrën e zgjedhur nga prokurorët e SPAK në marrjen si të pandehur të ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni, kur ajo ishte jashtë vendit, sikurse vetë kryeministri ishte në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.