Rama, Qeverisë Kurti: Autostradat i gjetët të ndërtuara, nuk po arrini t’i mirëmbani
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas njoftimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrimin e kontratave në vlerë prej 4.67 milionë eurosh për sanimin e skarpateve në autostradën Autostrada Ibrahim Rugova.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e lidhi këtë vendim me aksidentin tragjik të ndodhur të shtunën në këtë autostradë, ku humbi jetën një grua dhe një person tjetër mbeti i lënduar rëndë.
Sipas tij, njoftimi për investimin milionësh vetëm një ditë pas aksidentit dëshmon dështimin e institucioneve për të vepruar në kohë.
“Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro. Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet”, ka shkruar Rama.
Ai ka kritikuar faktin se, sipas tij, për vite me radhë nuk janë ndërmarrë veprime për largimin e dheut dhe sanimin e zonave problematike përgjatë autostradës, ndërsa tani po ndahen miliona euro për ndërhyrje emergjente.
“Kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë”, ka theksuar ai.
Rama ka drejtuar kritika edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se qeveria aktuale ka trashëguar autostrada të ndërtuara, por nuk po arrin t’i mirëmbajë ato.
“Albin Kurti vazhdon të flasë për shtetin që e ka gjetur ‘në bodrum me gjysmë metri ujë’. Shtetin e gjete me autostrada të ndërtuara, ndërsa sot nuk arrin as t’i mirëmbash. Për çdo dështim fajin e ka e kaluara, ndërsa për çdo propagandë meritat i merr vetë”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se një qeveri që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale nuk po përmbush premtimet për ndryshim, ndërsa pasojat, sipas tij, po i bartin qytetarët.
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata në vlerë totale prej 4,673,997.88 eurosh për sanimin e rrëshqitjeve dhe stabilizimin e skarpateve në tri lokacione përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas ministrisë, loti i parë përfshin sanimin e rrëshqitjes në kilometrin 72.4 në vlerë prej 2,087,952.94 eurosh, loti i dytë ndërhyrjet në kilometrat 69.1 dhe 63.4 me vlerë 1,187,080.09 euro, ndërsa loti i tretë sanimin e rrëshqitjes në kilometrin 44.0 me vlerë 1,398,964.85 euro.
Ministria ka bërë të ditur se operatorët ekonomikë do të mobilizohen gjatë ditëve në vijim për nisjen e punimeve.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.