“Rama si Vuçiçi, algoritmi i censurës kundër opozitës”- Bardhi akuza qeverisë për bllokimin e rrjeteve sociale të pr
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sot (2 shtator) lidhur me bllokimin e disa llogarive në Instagram të qytetarëve që mbështesin protestën kundër qeverisë.
Bardhi e ka krahasuar situatën në Shqipëri me zhvillimet në Serbi gjatë protestave masive kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit.
Me një postim në rrjetin social, ai akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor, sipas tij, censurën për të kufizuar zërat kritikë dhe për të mbuluar dështimet e qeverisë.
Në reagimin e tij, Bardhi shpreh solidaritet me qytetarët që pretendojnë se janë prekur nga bllokimi i llogarive për shkak të qëndrimeve të tyre. Sipas tij, asnjë mekanizëm censure nuk mund ta ndalë të vërtetën dhe bindjen e qytetarëve që protestojnë kundër qeverisë.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Edi Rama si Vuçiçi, algoritmi i censurës kundër opozitës!
Ajo që ndodhi në Serbinë e Vuçiçit gjatë protestave masive të studentëve kundër qeverisë, po shfaqet sot edhe në Shqipërinë e Edi Ramës.
Sot në Shqipëri janë nën sulm dhe janë bllokuar shumë llogari në Instagram të qytetarëve që po mbështesin aktivisht protestën mbi 3 mujore kundër qeverisë.
Ky është algoritmi i censurës së një Kryeministri që kërkon ta mbulojë dështimin e vet me heshtjen e shoqërisë. T’u mbyllë gojën kundërshtarëve dhe të zhdukë çdo zë kritik nga hapësira publike.
Me metodat e Vuçiçit, Edi Rama nuk e ndryshon dot bindjen e shqiptarëve se ai është Kryeministri që i ka bërë më shumë keq vendit në gati katër dekada dhe se duhet të largohet.
Solidaritet me çdo qytetar që është goditur për shkak të zërit të tij kritik. Nuk ka algoritëm censure që shpëton një qeveri nga e vërteta”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.