Rasti i Vlora Hysenit, gazetari Kikia: Ka tri arsyet pse shefat e shërbimeve inteligjente përfshihen në spiunazh
Gazetari Mentor Kikia ka komentuar hetimet ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke u ndalur te arsyet që mund të çojnë një drejtues të shërbimeve inteligjente drejt përfshirjes në spiunazh.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Kikia ngriti pyetje mbi mënyrën se si mund të jenë përdorur informacionet e mbledhura dhe nëse ato mund të kenë shërbyer për të ndikuar në luftën kundër kriminalitetit. Sipas tij, në raste të tilla mund të ketë tre motivime kryesore: përfitimi financiar, shantazhi ose pasioni.
“Për çfarë janë përdorur këto informacione? Për çfarë i merrte ky njeriu, thjesht për kuriozitet? A është përdorur informacioni për të ndikuar luftën ndaj kriminalitetit? Përderisa bëhet fjalë për informacione që lidhet me kriminalitetit, çfarë ka? Operacione, plane, arrestohet ky, përgjohet ai, kush mund të goditet.
Nëse ky informacion i është vënë grupeve kriminale, dhe përderisa kemi të arrestuar një sipërmarrës, ku janë zhdukur kamerat e sigurisë, e gjithë panorama tregon që nuk është thjesht një histori rozë, një grua ka rënë në dashuri me një burrë, i plotëson egon këtij për t’i dhënë ca dosje që ky do t’i lexojë për qejf.
Njerëzit e shërbimeve sekrete kanë tre arsye kur përfshihen në spiunazh: E bëjnë për para, përgjithësisht, e bëjnë se shantazhohen. Në Luftën e Ftohtë shantazhi ka qenë një armë, seksi ishte arma më e madhe, e joshnin përmes një femre dhe shantazhonin që të jepte dokumente, të ofronte informacion. Ose spiunon për pasion. Pra ka një arsye pse e bën”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.