Revolucionarët shqiptarë të Ratko Mlladiqit
Nga Ylli Pata
Ka shkaktuar menjëherë një reaksion në opinion një nderim që një parti, pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut të Kristian Mickovskit, ku është partia shqiptare Vlen, ka nderuar Ratko Llladiqin.
Gjeneralin famëkeq, ekzekutorin e gjenocidit dhe fytyrën e horrorit ballkanik të luftërave të viteve 90 në Ballkan. i cili vdiq ndërkohë që po kryente dënimin e përjetshëm në Hagë.
Partia Demokrate e Serbëve në Maqedoni, ka nderuar në një postim zyrtar simbolin e së keqes, për të cilin ka dy ditë e flet e gjithë bota. Kjo parti është jo thjesht aleate politike e Kristian Mickovskit, por kryetari i saj, Ivan Stoilkoviq është zv.kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe ministri për pakicat.
Serbët në Maqedoni nuk e kapin numrin e 24 mijë banorëve, pak më shumë se 1% të popullsisë së përgjithshme. Ata janë të përqendruar në kufi me Luginën e Preshevës, ku më shumë jetojnë në Kumanovë, një qytet i verilindjes së vendit, i njohur për mjaft trazira të mëdha.
Më e fundit ka qenë ajo e 2015-s në Kodrën e Trimave. Në Kumanovë një qytet me 145 mijë banorë, gati gjysma e popullsisë është shqiptare, por kryebashkiakun e ka fituar gjithmonë një maqedonas, edhe si pasojë e votës serbe.
Akti i nderimit të Mlladiqit nga Partia aleate e Mickovskit, nuk është një akt që i shërben kësaj force për vota. Pasi të gjithë serbët nuk kanë mundësi tjetër për këtë të votojnë. Për arsye etike, kjo parti edhe mund ta kishte lënë apo “harruar” nderimin funebër. Por ky është një akt i pastër politik, i të gjithë asaj që quhet “bota serbe”. Ku me urdhër, kudo ku ka serbë politikë, pra parti, media, qarqe religjoze e intelektuale janë futur në zi kombëtare.
Në Qeverinë e Ivanit që nderoi Mlladiqin është një grup politik nga “Bota shqiptare”, përkatësisht i famshmi VLEN që u bë i njohur për ekspeditat në protestat e flamingove të Tiranës me eksponentë radikalë të islamit politik.
Një grupim, i cili i ka edhe tani të gjitha mundësitë jo për tu larguar nga qeveria e Kristian Mickovskit, por së paku për të ushtruar autoritetin politik të shqiptarëve që së paku nderimi publik ndaj Mlladiqit të hiqet. Madje edhe të kërkohet ndjesë. Nuk e bën? OK, t’i kërkojnë kryeministrit Mickovski që ai vetë të shprehet e ta quajë këtë nderim si një gjë të rëndë që prek sentimentin e shoqërisë së vendit që drejton.
Ndryshe, ose nuk kanë asnjë peshë, ose janë pjesë e një lojë politike ku po luhet egër me gjëra që nuk mund të luhet. Më e bukura e kësaj gjëje është se dje në Maqedoni zhvilloi një vizitë zyrtare edhe Albin Kurti, aleati më i rëndësishëm politik i Kristian Mickovskit.
E gjithë kjo situatë e bën VLEN-in në mos fajtor, po bashkëfajtor po të një idhujtarie ndaj një prej simboleve të krimeve në Ballkan. Një aleat në qeveri me ata që e kanë idhull këtë monstër, e nga ana tjetër kanë tre muaj që kanë hyrë në luftë me qeverinë e Shqipërisë me deklarata, akte, veprime, a thua se kanë të bëjnë me një qeverie armike.
Se paku partia serbe ka respektuar unitetin e botës së saj politike, ani se ka kryer një akt politik drithërues. Bota serbe është një konglomerat mjaft serioz se ajo shqiptare, e cila prej disa vitesh është përçarë, duke u puthur me personazhe ekstremistë si Kristian Mickovski dhe mallkuar Ali Ahmetin e Edi Ramën. Ndërkohë që i hynë në shtëpi ambasadorit shqiptar në Shkup Denion Mejdanit me njerëz të shërbimeve secrete serbe.
Megjithatë ky është një akt pozitiv në fund të fundit, pasi krijon një panoramë më të qartë se aleatët e botës serbe nuk mund të jenë pjesë e botës shqiptare, edhe pse i bien daulleve osmane të patriotizmit. E kanë treguar sot se janë aleatë politik të pasuesve të Ratko Mlladiqit.
Bota serbe në Maqedoni është influente edhe pse nuk ka shumë banorë serb, pasi pjesa më e madhe e maqedonasve duan më shumë Serbinë sesa shqiptarët. Polarizimi radikal i Mickovsit e ka agravuar më shumë këtë influencë, që e ka çuar atë të jetë një aleat shumë i afërt i Beogradit. E nga ana tjetër partneri më i afërt i Albin Kurtit prej të cilit arriti të nxjerrë në opozitë Ali Ahmetin duke përdorur argatët e tij shqiptarë të Vlenit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.