“Rrjedhja e informacionit nuk e nderon SPAK-un”, eksperti analizon dosjen e SHISH
Eksperti i sigurisë, Faik Basha, i ftuar në emisionin Now me Erla Mëhillin në Euronews Albania, analizoi zhvillimet e fundit rreth hetimeve të SPAK-ut dhe shkarkimin nga detyra të ish-kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni.
Basha theksoi se arrestimi në detyrë i kreut të SHISH-it përbën një ngjarje mjaft të rëndë për sigurinë kombëtare, ndërsa kritikoi rrjedhjen e vazhdueshme të të dhënave dhe përgjimeve në media, çka sipas tij dëmton drejtpërdrejt punën e strukturave të drejtësisë.
Lidhur me masën e arrestit në shtëpi dhe pezullimin nga detyra të Vlora Hysenit, Basha sqaroi se ky vendim erdhi për shkak të rëndësisë strategjike të institucionit që ajo drejtonte. Sipas ekspertit, një funksionar që përbën nyjën kryesore të informacionit kombëtar dhe ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë në detyrë ndërsa përballet me dyshime për komunikim me persona në kërkim.
“Të gjitha operacionet që bën SPAK-u janë operacione madhore dhe çfarë ndodh nëse ka qoftë edhe një defekt të vogël në gjithë procesin nga fillimi në fund.
Defekti i parë që mendoj unë, të paktën si ekspert sigurie dhe që e njoh shumë mirë çështjen e sigurisë, është rrjedhja e informacionit. Rrjedhja e informacionit nuk e nderon SPAK-un.
Të gjitha përgjimet që kanë dalë nuk e ndihmojnë SPAK-un në punën e tij dhe SPAK-u e di këtë dhe disa herë ka hapur edhe hetime për të parë se nga dalin këto informacione, dhe kjo mendoj që është një gabim i cili duhet të përmirësohet në të ardhmen.
SHISH-i, ky institucion, është institucion me histori. Patjetër që arrestimi në detyrë i drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror është një ngjarje e rëndë. Nuk është diçka normale dhe kjo e ka vendosur edhe në qendër të vëmendjes.
Nuk mund të flasim për fajësi. Deri tani jemi në këtë kushte ku është menduar dhe është gjykuar për shkak të detyrës që mban dhe unë mendoj që nuk është lehtësuar, por është parë e arsyeshme për shkak të rëndësisë që ka ky institucion.
Për shkak të rëndësisë së institucionit dhe detyrës funksionale që mbante Vlora, është parë e arsyeshme që nëpërmjet shtrëngimit nëpërmjet masës arrest shtëpie të jepet edhe masa tjetër, të pezullohet nga detyra sepse nuk do të kishte kuptim që një person i cili është nyja kryesore e informacionit kombëtar dhe ndërkombëtar për sa i përket shërbimeve nuk mund të rrijë në detyrë, ndërkohë që ka një, jo akuzë, por ka dyshim që të ketë një komunikim me një person i cili është në kërkim.
Ndërsa pjesa tjetër nuk e ndalon drejtuesin e shërbimit informativ të takohet me qytetarë e me biznesmenë për sa kohë nuk janë në kërkim. Ndërsa kur janë në kërkim, sepse jo çështja e miqësisë, çështja e komunikimit dhe çështja e ndërveprimit të këtyre personave, nëse do të rezultojë sepse jemi gjithmonë në komunikime dhe ne kemi parë disa mesazhe që kanë qarkulluar në media, por askush nuk mund të thotë me siguri se si kanë dalë, nga kanë dalë dhe kush i ka prodhuar derisa të provohen. Jemi gjithmonë në dyshime dhe këto kanë parë që personi ka komunikim gjatë gjithë kohës që është në kërkim, kjo e ka rënduar gjithë akuzën.
Ka dy burime informacioni. Ka një që është shfaqur dhe është bërë publik nëpërmjet atyre pasazheve të atyre shkrimeve që kanë dalë, ka edhe pjesën tjetër që fillojnë ‘i dha mjete, i dha kështu, i dha ashtu’, por këto nuk janë të konfirmuara dhe janë krejtësisht në qarkullimin e personave të cilët nuk kanë treguar kurrë se kush është burimi”, u shpreh eksperti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.