RUMANI – Dan akuzon Moskën për përshkallëzim të luftës pas fundosjes së anijes në Detin e Zi
– Presidenti rumun, Nicusor Dan, akuzoi sot Rusinë për përshkallëzimin e sulmeve në krahun lindor të NATO-s, pasi një goditje me dron fundosi një anije mallrash në brigjet rumune të Detit të Zi, sipas Reuters.
Të paktën një marinar humbi jetën, ndërsa tre të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Pamjet e publikuara nga autoritetet rumune tregojnë se, ndërsa anija përmbysej dhe fundosej, mbi sipërfaqen e detit mbeti e dukshme vetëm një pjesë e vogël e trupit të saj.
Anijet e emergjencës nisën kërkimet për të mbijetuar, pavarësisht dallgëve të forta dhe erërave të fuqishme.
Sipas autoritetit detar rumun, anija “Khoryv”, e cila lundronte nën flamurin e Komoreve, dërgoi një sinjal emergjence rreth 13 milje detare larg portit të Konstancës, pak përtej ujërave territoriale të Rumanisë.
Në bord ndodheshin 13 marinarë ukrainas dhe azerë.
Nëntë prej tyre u shpëtuan, një trup u nxor nga deti dhe tre persona rezultojnë ende të zhdukur.
Incidenti vjen pas një rritjeje të papritur të sulmeve ndaj anijeve tregtare në brigjet e Rumanisë dhe Bullgarisë, të dyja vende anëtare të NATO-s.
Gjatë dy javëve të fundit janë goditur të paktën shtatë anije mallrash, ndërsa rreth 30 marinarë janë raportuar të vrarë ose të zhdukur.
Presidenti rumun e cilësoi sulmin si pjesë të përshkallëzimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
NATO njoftoi të martën se do të dërgojë në Detin e Zi më shumë avionë patrullimi detar, sisteme radarësh dhe dronë, pa specifikuar ende kapacitetet konkrete që do të angazhohen.
Të shtunën e kaluar, avionët luftarakë rumunë rrëzuan dy dronë rusë të gjeneratës së fundit mbi ujërat territoriale të vendit. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.