Sanna Marin: “Më kritikonin për veshjet dhe daljet në mbrëmje. Do të kthehesha në politikë nëse Putini do të na sulmonte”
FINLANDË, 13 tetor, ATSH/ Ish-kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka folur në një intervistë ekskluzive për gazetën italiane “Corriere della Sera” mbi vitet e saj në krye të qeverisë, të shënuara nga pandemia COVID-19, anëtarësimi i Finlandës në NATO dhe debatet publike për jetën e saj private.
Marin kujton kritikat që ka marrë gjatë kohës kur drejtonte qeverinë, duke theksuar se shpesh është gjykuar për mënyrën e veshjes dhe aktivitetet jashtë politikës.
“Më kanë kritikuar për xhaketën që vesha në revistën Vogue, sepse ishte tepër seksi, për drekat e mia që konsideroheshin tepër të shtrenjta dhe për dy mbrëmje në klube”, rrëfen ajo, duke vënë në dukje trajtimin e ndryshëm që, sipas saj, u bëhet grave në krahasim me kolegët meshkuj.
Ish-kryeministrja flet gjithashtu për vetminë që përjetoi gjatë mandatit, lodhjen e akumuluar dhe kohën e kufizuar që mundi të kalonte me vajzën e saj. Këto përvoja ndikuan në vendimin për t’iu rikthyer jetës personale dhe për të lënë pas drejtimin e qeverisë.
E pyetur për mundësinë e rikthimit në politikën kombëtare, Marin e përjashton një hap të tillë, përveçse në rast të një emergjence të jashtëzakonshme, siç do të ishte një sulm rus ndaj Finlandës.
Duke iu referuar kërcënimit nga Moska, ajo jep një paralajmërim të qartë: “Askush nuk është i sigurt”.
Marin i bën thirrje Evropës të forcojë mbrojtjen ushtarake dhe të reagojë me më shumë vendosmëri ndaj provokimeve ruse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.