SHBA heton sulme kibernetike ndaj dy tankerëvë me destinacion brigjet amerikane: dyshime se po hapet një front i ri lufte
Të paktën dy tankerë të huaj që transportonin naftë dhe gaz natyror të lëngshëm drejt brigjeve amerikane janë shënjestruar nga sulme kibernetike, kanë konfirmuar autoritetet amerikane, ndërsa zyrtarë në Uashington ngrenë shqetësimin se Irani apo kundërshtarë të tjerë mund të po kërkojnë të zgjerojnë konfliktin në Lindjen e Mesme në një front të ri.
Një ekip i specializuar i udhëhequr nga Roja Bregdetare Amerikane (U.S. Coast Guard), ku morën pjesë edhe agjentë të FBI-së, hipi në bord të dy tankerëvë në gusht, pasi anijet mbërritën në Gjirin e Meksikës. Inspektimet u kryen më 21 dhe 24 gusht “për të garantuar integritetin e sistemeve operative dhe të teknologjisë së informacionit të anijeve, pas indikacioneve se rrjetet e të dy anijeve ishin komprometuar”, sipas deklaratave të Rojës Bregdetare dhe FBI-së.
Sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve dhe një zyrtari amerikan, tankërët u sulmuan në fillim të gushtit teksa po kalonin Ngushticën e Gjibraltarit — një pikë kyçe detare që lidh Mesdheun me Atlantikun dhe ku kalojnë rreth 300 anije çdo ditë. Pikërisht vendndodhja e sulmit dhe destinacioni i anijeve ngre shqetësimin se autorët po përpiqeshin të prishnin një arterie jetike të tregjeve globale të energjisë, apo edhe të godisnin një port amerikan.
Rreziku i incidentit ishte i lartë: anijet mbanin naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG). Anijet moderne funksionojnë me sisteme të integruara lundrimi që, nëse komprometohen nga një sulm kibernetik, mund të fikin motorin apo t’i bëjnë ekuipazhit të humbasë kontrollin e anijes — me pasoja të mundshme shpërthimi, përplasjeje apo derdhjeje nafte. “Për një anije që mban dhjetëra miliona galonë naftë bruto, e cila është shumë e ndezshme, gjithmonë ka rrezik zjarri dhe shpërthimi… Ekziston gjithmonë rreziku i derdhjes së naftës”, i tha WSJ-së në qershor kontradmirali Jason Tama, kreu i Komandës Kibernetike të Rojës Bregdetare.
Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar nëse pas sulmeve qëndron Irani apo një kundërshtar tjetër, si Rusia apo Kina, por zyrtarët thonë se janë të shqetësuar se incidentet mund të hapin një front të ri në luftën shtatëmuajshe. Roja Bregdetare dhe FBI refuzuan të thonë sa raste të tjera sulmesh kibernetike kanë hetuar që nga fillimi i luftës me Iranin. Bloomberg News kishte raportuar më parë njërin nga hipjet në bord.
Sulmet vijnë në një moment tensionesh të larta detare: SHBA dhe Irani janë në garë për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa hutit e mbështetur nga Irani kontrollojnë Ngushticën e Bab al-Mandebit në grykëderdhjen e Detit të Kuq. Roja Bregdetare ka ekipe të specializuara për kërcënime të tilla kibernetike — në fillim të këtij viti ato hipën në bord të disa anijeve të “flotës së errët” të sekuestruara nga SHBA, për të siguruar që sistemet e tyre nuk ishin komprometuar.
Burimi: The Wall Street Journal



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.