Coachella 2027: Dua Lipa, SZA dhe Tame Impala kryesojnë festivalin

Festivali prestigjioz i muzikës Coachella ka bërë publik formacionin e artistëve që do të performojnë në edicionin e vitit 2027, duke konfirmuar tre emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare: Dua Lipa, SZA dhe Tame Impala.
Ngjarja muzikore do të zhvillohet në Indio të Kalifornisë, në dy fundjava radhazi: nga data 9 deri më 11 prill dhe nga 16 deri më 18 prill 2027.
Por lista e artistëve nuk përfundon me tre kryesuesit. Në skenën e Coachella-s pritet të ngjiten edhe emra të njohur si Madonna, Zara Larsson, Phoebe Bridgers, Don Toliver, Dom Dolla dhe Daddy Yankee, i cili do të bëjë debutimin e tij në këtë festival.
Për Dua Lipën do të jetë një rikthim i veçantë në festivalin amerikan. Herën e fundit ajo u shfaq në Coachella në prill të vitit 2017, kur bëri një paraqitje surprizë gjatë performancës së DJ Martin Garrix, për të interpretuar këngën “Scared to Be Lonely”. Artistja vjen në këtë edicion pas suksesit të albumit të saj “Radical Optimism”, të publikuar në vitin 2024.
Kevin Parker, i njohur për projektin muzikor Tame Impala, rikthehet në një skenë ku ka performuar disa herë ndër vite. Ai ka qenë pjesë e festivalit në vitet 2011, 2013 dhe 2015, ndërsa në vitin 2019 ishte gjithashtu një nga artistët kryesorë të Coachella-s.
Edhe SZA ka një histori të veçantë me këtë festival. Ajo debutoi në Coachella në vitin 2016 dhe u rikthye në vitin 2018. Në edicionin e vitit 2026, këngëtarja surprizoi publikun duke u shfaqur gjatë performancës së Justin Bieber, ku së bashku interpretuan hitin e saj “Snooze”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.