SHBA – Zuckerberg paralajmëron se do të largohet nga Kalifornia nëse miratohet taksa mbi pasurinë
UASHINGTON, 22 tetor /ATSH-DPA/- Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Meta”, Mark Zuckerberg ka paralajmëruar se do të largohet nga Kalifornia nëse ky shtet miraton planin për vendosjen e një takse mbi pasurinë, bëri të ditur sot kompania.
Taksa e propozuar parashikon një pagesë të vetme prej 5% mbi pasurinë e miliarderëve. Propozimi do të hidhet në votim në Kaliforni në muajin nëntor.
Në një dokument të dorëzuar pranë Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Bursave të SHBA-së (SEC), “Meta” bëri të ditur se, nëse propozimi miratohet, Zuckerberg mund të detyrohet të paguajë një shumë prej disa miliardë dollarësh, për shkak të aksioneve që zotëron në kompani.
Sipas “Meta”-s, Zuckerberg i kishte thënë bordit drejtues se po shqyrtonte mundësinë e largimit nga Kalifornia, ku ndodhet selia qendrore e kompanisë.
Themeluesi i “Meta”-s njihet për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në drejtimin e përditshëm të biznesit.
“Meta” deklaroi se Zuckerberg ishte personi më i përshtatshëm për ta udhëhequr kompaninë edhe në fazën e ardhshme të zhvillimit të saj.
Bordi drejtues vlerësoi se rezultatet e kompanisë në krijimin e vlerës për aksionarët lidhen kryesisht me udhëheqjen e fortë të Zuckerberg, vizionin e tij krijues dhe aftësitë e tij të veçanta drejtuese.
Kompania do të krijojë një kategori të re aksionesh, që do t’i mundësojë Zuckerberg të shesë deri në gjysmën e pjesës së tij ekonomike në “Meta”, pa humbur kontrollin mbi votat në kompani.
“Meta” theksoi se synimi është që Zuckerberg të vazhdojë ta drejtojë kompaninë nga Kalifornia dhe të qëndrojë pranë laboratorëve të saj për zhvillimin e inteligjencës artificiale superinteligjente.
Në këmbim, Zuckerberg është zotuar të vazhdojë të banojë në Kaliforni, ose në shtetin ku do të ndodhet selia qendrore e kompanisë, për tetë vjet, bëri të ditur Meta.
Rriten fitimet në tremujorin e tretë
“Meta” njoftoi se fitimet e kompanisë u rritën gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Fitimi neto arriti në 9,86 miliardë dollarë, ose 3,83 dollarë për aksion. Një vit më parë, fitimi neto ishte 2,709 miliardë dollarë, ose 1,05 dollarë për aksion.
Të ardhurat e kompanisë u rritën me 26,1%, duke arritur në 64,601 miliardë dollarë, nga 51,242 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zuckerberg tha se kompania kishte arritur rezultate të rëndësishme gjatë këtij tremujori në drejtim të zhvillimit të një inteligjence artificiale shumë të avancuar, të përshtatur për nevojat e çdo përdoruesi.
Ndër arritjet e përmendura prej tij ishte edhe prezantimi i modeleve të reja të inteligjencës artificiale, “Muse” dhe “Muse Wonder”.
“Investimet tona po japin rezultate, aktiviteti ynë kryesor është i fortë dhe po shohim përparim në të gjitha fushat”, tha Zuckerberg.
Sipas kompanisë, gjatë tremujorit të tretë, të paktën 3,64 miliardë përdorues hynin çdo ditë në të paktën një prej aplikacioneve kryesore të saj. Kjo përbën një rritje prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përveç platformës “Facebook”, “Meta” zotëron edhe aplikacionin e komunikimit “WhatsApp”, platformën e fotografive dhe videove “Instagram”, si dhe “Threads”, një rrjet social alternativ ndaj platformës X të Elon Musk. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.