Selimi: Gjuriqi në OKB foli për sundimin e ligjit në Kosovë, por heshti për Radoiçiqin
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për deklaratat e tij në mbledhjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku foli për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Selimi ka thënë se Gjuriq nuk foli për Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi si organizator të sulmit të armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Marko Gjuriq foli për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, por nuk foli për Milan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka deklaruar Selimi.
Ajo ka ngritur çështjen e qëndrimit të Radoiçiqit në Serbi dhe ka kërkuar përgjegjësi për mosdorëzimin e tij para drejtësisë në Kosovë.
“Nuk foli pse Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pse nuk i dorëzohet drejtësisë në Kosovë”, është shprehur deputetja.
Sipas saj, në vend që të jepte përgjigje për përgjegjësinë e shtetit serb lidhur me sulmin në Banjskë, Gjuriq zgjodhi të fliste për familjen e presidentit të Serbisë.
Selimi ka kritikuar edhe qëndrimin e përfaqësuesit të Rusisë në të njëjtën mbledhje, duke thënë se ai vazhdoi ta mohonte Republikën e Kosovës.
“Rusia nuk mund të jetë autoritet moral për respektimin e sovranitetit, derisa po vazhdon luftën në Ukrainë”, ka thënë ajo.
Deputetja e Vetëvendosjes ka theksuar gjithashtu se, nëse Serbia kërkon të diskutojë për të drejtat e komuniteteve, atëherë duhet të trajtohet edhe gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Nëse Serbia kërkon të flasë për të drejtat e komuniteteve, atëherë duhet të flasim për shqiptarët në Luginë, për pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe problemet e tjera me të cilat përballen ata”, ka deklaruar Selimi. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.