“Shqipëria e katërta në Europë për rritjen e startup-eve”, Rama: Synojmë 20 milionë euro financim deri në 2030
U shpallën këtë të enjte startup-et fituese që do të mbështeten përmes programit Grant 2026 të Innovation4Albania (I4A), i cili këtë vit vjen me një fond të dyfishuar prej 6 milionë eurosh për zhvillimin e sipërmarrjes inovative në vend.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se ekosistemi shqiptar i startup-eve po shënon progres të dukshëm, duke theksuar se, sipas një vlerësimi të fundit, Shqipëria renditet e katërta në Europë për ritmin më të shpejtë të rritjes në këtë sektor.
“Jemi këtu me një optimizëm të justifikuar për faktin se në një vlerësim të kohëve të fundit, sistemi ynë i startup është klasifikuar i katërti për rritjen më të shpejtë në rang europian. Ne e kemi nisur nga një bazë shumë e ulët dhe e ndërmorëm këtë rrugëtim në vitin 2022 me një shifër më modeste, vetëm 2 mln euro dhe mësuam sesi ta çojmë përpara ngritjen e këtij ekosistemi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se rritja e fondit do të varet nga cilësia e aplikimeve dhe zhvillimi i mëtejshëm i ekosistemit të inovacionit, ndërsa nënvizoi se qeveria synon të jetë e gatshme të financojë projekte inovative deri në nivelin e 20 milionë eurove në vit.
“Sot jemi në 6 mln dhe ambicia jonë është që në 2030 të arrimë në një kapacitet prej 20 mln euro për mbështetjen e start up. Kjo do të varet nga cilësia e aplikimeve, dinamika e mëtejshme e zgjerimit të ekosistemit. Por qeveria duhet të jetë gati për të financuar deri në një volum prej 20 mln euro”, theksoi Rama.
Rama kujtoi gjithashtu pjesëmarrjen e qeverisë në financimin e projektit të ri të Mira Muratit, duke theksuar se një model i ngjashëm mbështetjeje synohet të aplikohet edhe për startup-et shqiptare që kalojnë në faza të avancuara të zhvillimit dhe kanë nevojë për financim shtesë.
Sipas tij, qeveria po punon edhe për krijimin e fondeve të posaçme të investimit, të parashikuara në legjislacion, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me sipërmarrjen, institucionet financiare dhe partnerët ndërkombëtarë. Rama bëri të ditur se ky instrument pritet të jetë funksional gjatë vitit të ardhshëm.
“Ne kemi bërë një hap duke marrë pjesë në financimin e projektit të ri të Mira Muratit, por besojmë që të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me startup tona që kalojnë në një fazë të dytë dhe kanë nevojë për një mbështetje ekstra për t’u zhvilluar. Këtë mund ta bëjmë duke filluar me krijim e fondeve të posaçme që i kemi parashikuar në legjislacion dhe që mund të krijohen me bashkëpunimin mes qeverisë dhe burimeve të tjera financiare që vijnë nga sipërmarrja apo institucione të tjera financiare apo partnerë të vendit tonë. Besoj se vitin e ardhshëm do kemi në dispozicion edhe këtë instrument”, tha kryeministri Edi Rama”, u shpreh Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.