“Situatë e rëndë institucionale”- Avokati Ndreca nga Burgu i Fierit: Nuk më lejojnë të takohem me Veliajn, do
Avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka deklaruar sot se nuk është lejuar të hyjë në ambientet e Burgut të Fierit, për të takuar klientin e tij i cili ndodhet në paraburgim.
Nga ambientet e Burgut të Fierit, Ndreca shprehet se kishte një orë e gjysmë duke pritur për t’u takuar me Veliajn, por nuk po lejohej nga autoritetet e institucionit.
“Në fakt, u bë një orë e gjysmë që jam këtu duke pritur për të takuar klientin. Nuk po lejohem dhe vazhdon akoma e njëjta histori që ‘nuk kemi forca policore dhe njerëz për të shoqëruar’. Ndërkohë që, ligji parashikon se hyrja e avokatit ndodh në çdo kohë. Vazhdon paligjshmëria e veprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kufizimi i takimeve edhe me avokatin. Unë nesër kam një seancë gjyqësore dhe duhet të takohesha patjetër me klientin. 1 orë e gjysmë në pritje siç e shihni dhe nuk lejohem. Asnjë bazë ligjore, asnjë përgjigje zyrtare. Kërkoj të mbajnë procesverbal për këtë fakt. As procesverbal nuk japin.
Një situatë skandaloze dhe një situatë që nuk e meriton shteti shqiptar që të shkojë në këto nivele që s’kanë asnjë përputhje e asnjë lidhje me asocimin dhe standardet europiane. Kjo është një situatë e paprecedentë. Një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe cenim i rëndë i të drejtës së klientit tim, për çdo të paraburgosur, apo i çdo personi nën hetim apo në cilësinë e të pandehurit, për t’u takuar në çdo kohë me avokatin e tij. Pra unë nuk kam asnjë mundësi të konsultohem dhe të flas me klientin për seancën e nesërme, duke dëmtuar edhe strategjinë që ne kemi për nesër, apo për komunikimin që kemi për një vendim të mundshëm apo potencial që Gjykata nesër mund të japë për zgjedhjen e spitalit nga Veliaj.
Këtë situatë unë e konsideroj institucionale. Një sjellje e rëndë e paligjshme institucionale. Avokati në 2026-ën nuk lejohet të hyjë e të takojë klientin e tij. Një e drejtë bazike që besoj se edhe vendet që janë pa asnjë pretendim për të hyrë në Europë, besoj se i respektojnë. Unë po pres edhe pak, jam i detyruar të kthehem në Tiranë. Është konsumuar ky udhëtim dhe unë nuk kam arritur të bëj takimin për të cilin erdha. Përgjigje ka me telefon, por nuk bëjnë një procesverbal”, tha Ndreca.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.