SPANJË – Jep dorëheqjen ministri i Transportit, gjashtë ditë pas aksidentit tragjik hekurudhor
MADRID, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, gjashtë ditë pas aksidentit të rëndë hekurudhor që shkaktoi 69 viktima në jug të Madridit.
Puente njoftoi vendimin dje, gjatë një seance dëgjimore në Kongresin spanjoll, ku u pyet për shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë institucionale për tragjedinë.
“Një ministër i Transportit në një vend si Spanja nuk mund të qëndrojë në detyrë pas dy aksidenteve të kësaj shkalle brenda më pak se një viti”, deklaroi ai para ligjvënësve.
Ministri bëri gjithashtu të ditur se do të tërhiqet nga listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.
Aksidenti ndodhi më 28 tetor, pranë fshatit Urda, në provincën e Toledos, rreth 130 kilometra në jug të Madridit. Një tren me shpejtësi të lartë i kompanisë shtetërore Renfe u përplas me një tren të ndaluar të kompanisë private Iryo.
Sipas hetimeve paraprake, zinxhiri i ngjarjeve që çoi në aksident nisi pas një defekti në sistemin e komunikimit, i cili është i rëndësishëm për funksionimin e mekanizmave të sigurisë në linjën hekurudhore Madrid-Sevilje.
Pas ndërprerjes së sistemit, kontrollorët në Madrid morën përsipër menaxhimin e trafikut dhe autorizuan trenin Renfe të vazhdonte udhëtimin, megjithëse përpara tij ndodhej treni tjetër i ndaluar.
Dorëheqja e ministrit vjen pas kritikave të forta nga opozita konservatore dhe sindikatat, të cilat kishin kërkuar marrjen e përgjegjësisë politike për aksidentin.
Opozita ka vënë në pikëpyetje investimet për mirëmbajtjen e rrjetit hekurudhor dhe mënyrën se si autoritetet kanë reaguar ndaj problemeve të sigurisë.
Ky ishte aksidenti i dytë i rëndë hekurudhor në Spanjë gjatë vitit 2026. Në janar, një tjetër aksident në linjën Madrid-Sevilje shkaktoi 46 viktima.
Pas tragjedisë së fundit, qeveria spanjolle ka njoftuar një paketë masash për përmirësimin e sigurisë hekurudhore, përfshirë modernizimin e sistemeve të sinjalizimit dhe komunikimit, përmirësimin e kushteve në qendrat e kontrollit dhe përdorimin e sistemeve automatike për identifikimin e problemeve në qarkullimin e trenave.
Puente njoftoi gjithashtu një paketë ndihme prej 30 milionë eurosh për familjet e viktimave dhe personat e plagosur.
Rrjeti hekurudhor i Spanjës për trenat me shpejtësi të lartë është i dyti më i madh në botë, pas atij të Kinës. Për më shumë se tri dekada, vendi nuk kishte regjistruar një aksident fatal në këtë rrjet, deri në dy tragjeditë e këtij viti.
Dorëheqja e ministrit vjen në një moment të ndjeshëm politik për qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.