Stavri Bello: Prishtina 2030, shansi më i madh për sportin kosovar
Organizimi i Lojërave Mesdhetare është një mundësi e madhe për çdo shtet që merr përsipër një ngjarje të tillë, pasi përveç zhvillimit të infrastrukturës sportive, sjell edhe promovim ndërkombëtar dhe krijon eksperiencë të re organizative.
Kështu ka deklaruar kryetari i Komisionit të Koordinimit të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, Stavri Bello, në emisionin “SportCast” të KosovaPress-it, ku ka folur për rëndësinë që ka organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 për Kosovën.
Sipas tij, kjo ngjarje nuk ka ndikim vetëm në aspektin sportiv, por edhe në zhvillimin ekonomik, turistik dhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore.
“Organizimi i Lojërave Mesdhetare, pavarësisht se përfshin vetëm 26 shtete të Mesdheut, është një okazion shumë i mirë për shtetin që i merr sepse zhvillon infrastrukturën sportive në radhë të parë. Në radhë të dytë e ekspozon shtetin në të gjithë, jo vetëm në Mesdhe. Sot Lojërat Mesdhetare kanë lidhur kontrata me televizione që i transmetojnë në mbarë botën. Sot Lojërat Mesdhetare përveç Mesdheut që transmetohen, kanë një efekt edhe në pjesën tjetër të kontinenteve të cilët duan të shikojnë nivelin se ku janë vendet e Mesdheut. Për vendin organizator është i rëndësishëm zhvillimi i burimeve njerëzore sepse fiton një eksperiencë në organizimin e eventeve të mëdha. Ato që organizojnë Lojërat Mesdhetare, në veprimtarinë mbas lojërave janë organizatorë të kampionateve evropiane ose kampionateve të Afrikës, bëhet fjalë për shembull lojërat e kaluara u zhvilluan në Oran të Algjerisë, mirëpo Orani është kthyer në një qendër të eventeve afrikane. Kështu që ka një dimension shumë të madh organizimi i Lojërave Mesdhetare.”, theksoi Bello në SportCast.
Ai theksoi se një prej përfitimeve më të mëdha për vendin organizator është zhvillimi i burimeve njerëzore dhe krijimi i një trashëgimie organizative për ngjarje të tjera të mëdha sportive. Sipas tij, ndërtimi i infrastrukturës sportive është sfida kryesore dhe çdo vonesë mund të ndikojë në rritjen e kostove dhe në cilësinë e projekteve.“Gjëja më e madhe për Kosovën dhe jo vetëm, është që ka fituar të drejtën të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030. Kjo është në historikun e sportit shqiptar e kosovar do ta them unë, është fitorja më e madhe që është. Është një shans që të ekspozohet jo vetëm sporti po të ekspozohet Kosova komplet, me aftësitë e mikpritjes, me aftësitë sportive, ka goxha rezultate pozitive. Sigurisht ngelet infrastruktura, që mendoj është në kohë katër vjet, edhe janë edhe s’janë, por që nuk duhet humbur më. Çfarë është humbur ka kaluar, nuk duhet humbur sepse çdo humbje kohe sjell rritje të kostove të ndërtimit, sjell nxitim në përcaktimin e kompanive ndërtuese, ndërkohë që kur ke kohë ke mundësi të përzgjedhësh kompaninë më të mirë, ke mundësi të bësh një infrastrukturë më moderne. Shansi mendoj unë për Prishtina 2030 është që kjo infrastrukturë sportive do t’i shërbejë brezave me radhë, kjo mund të shkojë 50-60 vjet”, deklaroi Bello.
Kryetari i Komisionit të Koordinimit të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 kërkoi angazhim të përbashkët institucional për përgatitjen e kësaj ngjarjeje. Ai tha se Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një aktivitet sportiv, por një projekt që prek imazhin e Kosovës, zhvillimin e të rinjve dhe krijimin e kapaciteteve të reja.
“Deri tani ecuria është mjaft e mirë, por që duhet konkretizuar me veprime konkrete. Ndoshta apeli është që të gjithë së bashku, të gjithë institucionet të mobilizohen sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për lojërat, këtu bëhet fjalë për një veprimtari e cila i shërben imazhit, i shërben kualifikimit të burimeve njerëzore, i shërben të ardhmes së rinisë së Kosovës, pse jo dhe të Shqipërisë e me radhë. Kështu që është një veprimtari që kërkon një mobilizim të të gjithë institucioneve, të gjithë të bëjnë diçka, të vënë një tullë kur i themi ne për suksesin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, vijoi tuje Bello.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 përbëjnë një nga projektet më të mëdha sportive në historinë e Kosovës. Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e një ngjarjeje të këtij niveli ndërkombëtar, duke mirëpritur mijëra sportistë nga 26 shtete të rajonit të Mesdheut.
Organizimi i kësaj ngjarjeje pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive, me ndërtimin dhe modernizimin e objekteve që do t’u shërbejnë sportistëve kosovarë edhe shumë vite pas përfundimit të garave. Përveç aspektit sportiv, Prishtina 2030 shihet si një mundësi për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, zhvillimin e turizmit, fuqizimin e kapaciteteve organizative dhe krijimin e përvojës për organizimin e eventeve të tjera të mëdha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.