SUEDI – Disa të plagosur pas sulmit me shpatë në një shkollë
STOKHOLM, 21 gusht /ATSH–AFP/ – Një person i armatosur me shpatë hyri sot në një shkollë të mesme në Fagersta, në Suedinë qendrore, duke plagosur disa persona, përpara se të arrestohej nga policia, njoftoi bashkia e qytetit.
“Një person i armatosur me shpatë hyri në shkollën Brinell dhe plagosi disa persona”, bëri të ditur bashkia, duke shtuar se policia mbërriti në vendngjarje dhe arrestoi autorin e dyshuar.
Sipas medias suedeze “Aftonbladet”, sulmuesi ishte i armatosur me një shpatë dhe u qëllua në këmbë nga policia.
Motivimi i sulmit nuk ishte bërë ende i qartë.
Disa shkolla në zonën përreth u mbyllën dhe nxënësit e personeli u urdhëruan të qëndronin brenda, ndërsa në vendngjarje u dërguan ambulanca, makina policie dhe një helikopter policie.
Fagersta është një qytet i vogël me rreth 12 mijë banorë, në veriperëndim të Stokholmit.
Sulmet në shkollat suedeze janë relativisht të rralla, por vendi ka përjetuar disa raste të rënda vitet e fundit.
Në tetor 2015, një burrë i maskuar dhe i armatosur me shpatë sulmoi një shkollë në Trollhättan, duke vrarë një mësues dhe një nxënës dhe duke plagosur rëndë dy persona të tjerë, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.
Në shkurt 2025, Suedia u përball me sulmin më vdekjeprurës në historinë e saj moderne, kur 10 persona humbën jetën në një qendër arsimimi për të rritur në Orebro./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.