Sulmet e Farage ndaj shqiptarëve në Britani, Rama për “The Independent”: Kush merret me ta i zë mallkimi shqiptar në politikë
Në një intervistë për median prestigjioze britanike “The Independent”, kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke reaguar ndaj deklaratave të liderit të partisë “Reform UK, Nigel Farage”, dhe politikanes Suella Braverman.
Sipas asaj që raporton “The Independent”, kryeministri Rama shprehet se politikanët britanikë që sulmojnë emigrantët shqiptarë po përballen me një “mallkim shqiptar”, duke iu referuar rënies në sondazhe të Farage dhe largimeve të mëparshme nga detyra të Braverman.
“Suella Braverman nuk është askund tani, apo jo? Edhe disa të tjerë, nuk janë askund. I kam thënë ‘mikut’ tim 1Nigel Farage: ‘ki kujdes sepse ekziston një mallkim shqiptar’. Mallkimi shqiptar është diçka prej së cilës duhet pasur kujdes, sepse kush merret me shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht”, ka theksuar Rama për median britanike, ndërsa kujtojmë se qëndrim vjen edhe pas pretendimeve të bëra vitin e kaluar nga Nigel Farage mbi statistikat e shqiptarëve në burgjet britanike, deklarata të cilat kryeministri Rama i kishte kundërshtuar duke e ftuar politikanin britanik të vizitonte Shqipërinë për të parë realitetin nga afër.
Rama vuri në dukje se pavarësisht pranimit fillestar të ftesës, Farage nuk e mbajti premtimin për të vizituar Shqipërinë.
“Ai është i zoti për të bërë premtime, por nuk duket aq i zoti për t’i mbajtur ato”, tha Rama.
Duke shpjeguar thelbin e qëndrimit të tij, kryeministri Rama theksoi për “The Independent” se metafora e “mallkimit” pasqyron kundërshtimin e tij ndaj politikanëve që shënjestrojnë një kombësi të tërë për përfitime elektorale.
Ai deklaroi se veçimi i komuniteteve, etnive, ngjyrës së lëkurës, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme për qëllime politike është një akt i turpshëm, pavarësisht nëse cilësohet apo jo si racizëm.
“Është e turpshme të veçosh komunitete, etni, ngjyra lëkure, gjuhë dhe kultura të ndryshme për qëllime politike. Mund të jetë raciste. Mund të mos jetë raciste. Por është e turpshme në të dyja rastet”, deklaroi Rama.
Gjatë intervistës kreu i qeverisë ndau edhe vlerësimet e tij mbi politikën britanike dhe sfidat globale.
Ai shprehu respekt për figura si Tony Blair, Margaret Thatcher dhe Andy Burnham, ndërsa e cilësoi Brexit-in si një proces që i solli vështirësi Mbretërisë së Bashkuar.
Gjithashtu, Rama ngriti shqetësimin mbi ndikimin negativ të rrjeteve sociale në demokraci, duke argumentuar se ato u kanë dhënë hapësirë fenomeneve ekstreme.
Në intervistë u trajtuan edhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri, ku Rama kujtoi sulmin e dhunshëm fizik që kishte pësuar në të kaluarën nga kundërshtarët politikë.
Sa i përket projekteve të investimeve të huaja në vend, përfshirë projektin e marinës dhe zhvillimit në ishullin e Sazanit të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, kryeministri hodhi poshtë akuzat për korrupsion, ndërsa i cilësoi të pabazuara shqetësimet e protestuesve mjedisorë lidhur me ndikimin e këtyre projekteve te fauna vendase, siç janë flamingot.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.