Tabaku kritika qeverisë: Reformat dhe ligjet po mbeten vetëm në letër, korrupsioni dhe mungesa e konkurrencës…
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri në bashkëpunim me Revistën “Monitor”, ka organizuar sot Forumin e Biznesit me temë “Si po ecën ekonomia?”, ku u prezantuan edhe rezultatet e edicionit të 14-të të Indeksit të Biznesit të AmCham.
Në forum u diskutua mbi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe perspektivat e sektorit privat, duke theksuar sfidat me të cilat përballet biznesi në vend. Gjatë aktivitetit, deputetja e PD-së Jorida Tabaku ngriti shqetësime për mungesën e zbatimit të reformave dhe rekomandimeve të miratuara ndër vite. Sipas saj, një pjesë e madhe e ligjeve dhe propozimeve mbeten vetëm në letër, pa efekt real në ekonomi.
Ajo theksoi gjithashtu se korrupsioni vijon të mbetet një nga problematikat kryesore në ekonomi, pavarësisht ngritjes së institucioneve të reja. Sipas saj, niveli i konkurrencës në treg mbetet i ulët, ndërsa shteti vazhdon të jetë aktori më i madh ekonomik, gjë që sipas saj nuk duhet të ndodhë në një ekonomi tregu funksionale.
Tabaku komentoi edhe zhvlerësimin e euros me rreth 30%, duke thënë se ky faktor ka ndikuar negativisht në ekonomi, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe në investime. Ajo shtoi se disa ligje aktuale krijojnë favore të veçanta, përfshirë ato për investimet strategjike, duke kërkuar më shumë barazi dhe transparencë në treg.
Në përfundim, Tabaku theksoi nevojën për një kod fiskal të qartë dhe afatgjatë, duke nënvizuar se ekonomia nuk mund të mbështetet në masa apo aksione të përkohshme, por kërkon planifikim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve ekonomikë. “Shoh me shqetësim që shumë nga rekomandimet dhe ligjet mbetën vetëm në letër, pa i zbatuar ato. Nëse biznesi nuk është gati në këtë legjislacion, këto do të ngelen reforma në letër. Ndonëse kemi ngritur institucione, korrupsioni mbetet një nga treguesit me të lartë. Operatori më madh në treg është shteti, por në fakt nuk duhet të jetë ai. Zhvlerësimi i euros me 30% ka sjellë rënie në ekonomi, në bujqësi. Ky është rrezik eminent, pasi kanë ndryshuar investimet. Disa ligje japin favore të veçanta, si për investimet strategjike. Kemi nevojë për një kod fiskal. Nuk mbahet ekonomia me aksione, pasi duhet plan pune për të gjithë aktorët për të punuar.”, tha Tabaku.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.