Tatimet sqarojnë kompensimin 10% për fermerët: afatet, faturat dhe pagesa
Administrata Tatimore ka sqaruar procedurat që duhet të ndjekin fermerët për të përfituar kompensimin 10% për produktet bujqësore, nga kushtet e shitjes dhe dokumentimi me autofaturë, deri te aplikimi në e-Filing dhe afatet e pagesës.
Për furnizimet e periudhës janar–qershor 2026 kërkesat mund të paraqiten deri më 31 dhjetor, ndërsa kompensimi kalon në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve, pas verifikimeve përkatëse.
- Jam një fermer i regjistruar në DRT dhe kam një NIPT e certifikatë me të cilën jam pajisur nga Administrata Tatimore. Kujt duhet t’ia shes produktet e realizuara nga puna ime për të përfituar kompensimin 10%?
Produktet bujqësore duhet t’ia shisni një personi të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.
- Në lidhje me aplikimin për kompensimin e fermerëve, do të doja të informohesha nëse faturat duhet të ngarkohen veçmas në sistem apo mund të bashkohen në një dokument të vetëm, si dhe nëse afati i aplikimit varet nga data e lëshimit të faturave apo është i njëjtë për të gjithë fermerët.
Gjatë procesit të aplikimit online nuk është e nevojshme të ngarkoni faturat (autofaturat). Vetëm në rast se kërkohet nga Administrata Tatimore, mund të bashkëngjitni dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar.
Për më shumë udhëzime mbi procesin e aplikimit online për kompensimin e fermerëve, ju lutemi t’u referoheni udhëzuesve të publikuar nga Administrata Tatimore në faqen zyrtare të internetit, në rrjetet sociale dhe në kanalin zyrtar në YouTube.
Për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor 2026, fermerët mund të aplikojnë nga data 1 korrik deri më 31 dhjetor 2026.
- Unë prodhoj livando dhe blerësi nuk më lëshon autofaturë. Si mund të përfitoj kompensimin?
Për të përfituar kompensimin në masën 10% për produktet bujqësore, transaksioni duhet të jetë i dokumentuar me faturë tatimore (autofaturë).
Administrata Tatimore ju fton të përdorni aplikacionin “Denonco Evazionin” për të raportuar çdo rast të shkeljeve tatimore. Çdo denoncim i qytetarëve do të trajtohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të legjislacionit tatimor.
- Kam hyrë në e-Filing për të aplikuar për kompensim për fermerët, por faturat e muajit qershor 2026 nuk më shfaqen në sistem, megjithëse disponoj autofaturat për shitjen e elbit dhe grurit. A do ta humbas të drejtën e kompensimit për faturat që nuk më shfaqen?
Jo. Mosshfaqja e disa faturave në sistem nuk ju bën të humbni të drejtën për të përfituar kompensimin, nëse plotësoni kushtet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Nëse keni aplikuar përpara datës 10 të muajit pasardhës, faturat e muajit qershor 2026 mund të mos jenë shfaqur ende në sistem, pasi librat e blerjes transferohen nga sistemi SelfCare në sistemin CATS pas datës 10 të çdo muaji.
Në këtë rast, ju mund të aplikoni përsëri dhe në sistem do t’ju shfaqen faturat për mallrat e furnizuara kundrejt grumbulluesve, përpunuesve ose agroturizmit të certifikuar.
- Jemi subjekt eksportues dhe blejmë produkte nga fermerë vendas. Në sistemin SelfCare, këto blerje janë shfaqur në rubrikën 46 me TVSH 6%, ndërsa në e-Filing, pas përditësimit të rubrikës 46, ato shfaqen me TVSH 0%. A ndikon ky ndryshim në transmetimin e blerjeve tona te llogaria e fermerëve në e-Filing dhe a duhet fermerët me të cilët kemi bashkëpunuar të ndjekin ndonjë procedurë të veçantë për të aplikuar online për kompensimin, sipas udhëzimit të ri të Administratës Tatimore?
Blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët vendas nuk duhet të deklarohen me TVSH 6%, por si blerje të përjashtuara nga TVSH-ja (0%). Nëse në sistemin SelfCare ato shfaqen me TVSH 6%, kjo tregon se konfigurimi i programit të faturimit nuk është i saktë dhe duhet të korrigjohet në bashkëpunim me ofruesin e zgjidhjes softuerike.
Nëse këto blerje deklarohen me TVSH 6% edhe në e-Filing, vlera e kompensimit do të llogaritet gabim dhe kërkesa për kompensim mund të refuzohet nga Administrata Tatimore.
Ky ndryshim nuk ndikon në procedurën që duhet të ndjekin fermerët. Fermerët vijojnë të aplikojnë online në e-Filing sipas procedurës së publikuar nga Administrata Tatimore, me kusht që produktet bujqësore t’i kenë furnizuar te grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar.
- Cili është afati i aplikimit për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit 2026?
Për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit 2026, fermerët mund të paraqesin kërkesën për kompensim nga data 1 janar 2027 deri më 30 qershor 2027.
Si më paguhet kompensimi i përfituar dhe brenda çfarë afati?
Kompensimi paguhet nga Administrata Tatimore drejtpërdrejt në llogarinë bankare të deklaruar nga prodhuesi bujqësor (emri i bankës dhe numri IBAN, sipas të dhënave të plotësuara në formularin e aplikimit), brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të rezultojnë të përmbushura kërkesat dhe kushtet e përcaktuara në ligj dhe në udhëzim, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.