Televizioni publik në Hungari, i lidhur me Orban, ndërpret transmetimin me këtë mesazh: Ju kërkojmë ndjesë që ju kemi mashtruar!
Një zhvillim i pazakontë ka ndodhur në Hungari, ku disa prej mediave kryesore publike të lidhura me ish-kryeministrin Viktor Orban kanë ndërprerë transmetimet pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në ekranin e televizionit shtetëror M1 është shfaqur vetëm një sfond i zi me një mesazh ku thuhej: “Media nuk mund të gënjejë. Kërkojmë falje që e kemi bërë këtë për vite me radhë.”
Televizioni M1 ishte konsideruar për vite me radhë si një nga mediat më pranë qeverisë së Orbanit dhe nga kritikët është akuzuar si një mjet propagande i pushtetit. Sipas mediave vendase, pezullimi ka prekur edhe radion publike Kossuth Radio, ndërsa faqet online të këtyre institucioneve shfaqën gjithashtu ekrane të zeza.
Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, njoftoi se mediat publike do të rikthehen nën një administrim të ri. Përkohësisht, transmetimet informative do të pezullohen, ndërsa në radio do të transmetohet vetëm program muzikor nga një stacion partner, shkruan Vox News.
Magyar e cilësoi këtë moment si “historik”, duke deklaruar se epoka e propagandës në mediat publike ka përfunduar. Në një reagim në rrjetet sociale ai shkroi se, sipas tij, mediat kishin “gënjyer natën dhe ditën, përmes çdo kanali të mundshëm”, duke shtuar se kjo periudhë tashmë ka marrë fund.
Gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit, kritikët e tij kanë pretenduar se mediat publike u kthyen praktikisht në media shtetërore dhe humbën pavarësinë editoriale. Disa përfaqësues të industrisë së medias i kanë krahasuar kushtet me ato të vendeve me kontroll të fortë shtetëror mbi informacionin.
Partia e Magyar, Tisza, fitoi zgjedhjet parlamentare duke premtuar një reformim të thellë të sistemit mediatik dhe rikthimin e pavarësisë së institucioneve publike. Pas marrjes së detyrës, kryeministri i ri urdhëroi një rishikim të mënyrës së funksionimit dhe financimit të mediave shtetërore.
Ndërkohë, Viktor Orban ka reaguar duke e kritikuar këtë proces, duke e cilësuar si “një tjetër hap të tiranisë së Tiszas”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.