TURQI – Fidan: Një sulm i ri ndaj Iranit do të zgjeronte konfliktin, diplomacia e vetmja zgjidhje
– Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, paralajmëroi sot se një sulm i ri ushtarak ndaj Iranit do të përshkallëzonte tensionet dhe do të zgjeronte konfliktin në rajon, sipas Reuters.
“Diplomacia dhe dialogu mbeten mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës, duke kundërshtuar çdo ndërhyrje të re ushtarake kundër Teheranit”, theksoi ai.
Deklaratat u bënë pas një takimi në Stamboll, ku Fidan priti homologët e tij nga Egjipti, Pakistani, Arabia Saudite, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia.
Diskutimet u përqendruan te zhvillimet e luftës me Iranin, sulmet e rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite si dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Takimi shënoi mbledhjen e parë të përbashkët të vendeve të grupit rajonal R4 dhe grupit E3, të përbërë nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, së bashku me Italinë.
Sipas Fidanit, pjesëmarrësit ndajnë shqetësimin se një sulm i ri ndaj Iranit do të zgjeronte luftën në të gjithë rajonin.
Ai shtoi se, në kushtet aktuale, asnjë nga vendet pjesëmarrëse nuk e mbështet një ndërhyrje të tillë ushtarake.
Edhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, paralajmëroi për pasojat e një përshkallëzimi të ri mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, një zhvillim i tillë do të sillte pasoja negative për të gjitha palët dhe do të rriste çmimet e naftës, duke shtuar presionin mbi tregjet energjetike ndërkombëtare.
Paralajmërimet vijnë pas një raportimi të ‘The New York Times”, sipas të cilit ushtritë amerikane dhe izraelite kishin hartuar plane konkrete për sulme të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për muajin nëntor.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, gazeta raportoi se objektivat e mundshëm mund të përfshinin infrastrukturën energjetike, objektet bërthamore dhe arsenalin iranian të raketave e dronëve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar më herët gjatë këtij muaji se Uashingtoni nuk do të ndërmerrte sulm ndaj Iranit përpara zgjedhjeve të mesmandatit, ndërsa të dyja palët po zhvillonin bisedime që ai i kishte cilësuar si produktive.
Presidenti Trump tha sot se SHBA-ja mund ta përfundonte luftën shpejt, por vuri në pikëpyetje nëse duhej synuar një përfundim i menjëhershëm apo lejimi i një shuarjeje graduale të konfliktit.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka mbajtur kontakte të ngushta me Uashingtonin, Teheranin dhe ndërmjetësuesit rajonalë, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës.
Në përfundim të takimit, Fidan bëri të ditur se ministrat kishin diskutuar edhe parametrat e mundshëm për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të luftës, pa dhënë hollësi konkrete.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe ishin të gatshme të negocionin me Iranin për të siguruar që vendi të mos pajisej me armë bërthamore.
Ai bëri gjithashtu thirrje për mbështetje ndaj Arabisë Saudite dhe Jemenit. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.