U kapën me armë në “Audi-n” e blinduar, lirohet gardisti dhe 2 ushtarakët! Një person anonim vetëinkriminohet
Gjykata e Tiranës ka vendosur ditën e djeshme lirimin nga qelia të 4 personave që policia kriminale arrestoi në zonën e stadiumit “Air Albania” me një “Audi” të blinduar dhe një armë zjarri brenda në makinë.
Efektivi i Gardës së Republikës, Erion Ramaj dhe dy ushtarakët e batalionit Special “Komando” në Zall-Her, Leonard Murataj dhe Ernest Selmani, janë lënë në masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur tek oficeri i policisë gjyqësore”.
Ndërsa për personin tjetër të arrestuar, Ilir Shyti, djalin e Roland Shytit, “Mustaqekuqit” të Lushnjës, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Vendimi i gjykatës u bazua mbi kërkesën e prokurorit të çështjes, Albert Kuliçaj, i cili argumentoi kërkesën për masat “Detyrim paraqitje” dhe “Arrest shtëpie” me faktin se ende nuk është zbuluar se kujt i përket autorësia e armës pa leje që u gjend brenda makinës së blinduar.
Asnjëri nga personat e arrestuar nga policia kriminale, gjatë marrjes në pyetje në policinë e Tiranës, nuk ka pranuar autorësinë e kësaj arme, duke mohuar se i përkiste ndonjërit prej tyre. Por çudia ka ndodhur në orët e mesnatës.
Teksa 4 personat ndodheshin të izoluar në dhomat e shoqërimit në policinë e Tiranës, një person anonim ka mbërritur në ambientet e policisë, duke pretenduar se ai ishte personi që kishte armën pa leje të sekuestruar në makinën e blinduar, ku udhëtonin Ilir Shyti dhe 3 bodyguardët e tij ushtarakë.
Një veprim i çuditshëm, ku një person anonim shfaqet në polici për t’u vetëinkriminuar në një armëmbajtje pa leje, ka habitur edhe punonjësit e policisë, të cilët nuk e kanë trajtuar fare për ta marrë në pyetje apo t’i marrin gjurmët e gishtave, informon “Shekulli”.
Sipas burimeve të policisë, personi anonim ishte një skenar i avokatëve për të “gjetur” autorin e armës pa leje. Por gjurmët e gishtave u janë marrë vetëm Ilir Shytit, Leonard Muratajt, Ernest Selmanit dhe gardistit Erion Ramaj.
Gjurmët e tyre dhe arma pistoletë janë çuar në laborator për ekspertim, me qëllim krahasimin. Nëse ndonjërit prej tyre do t’i dalë gjurmë gishti në pistoletë, atëherë do të përcaktohet shkencërisht edhe autorësia se kujt i përket kjo armë zjarri e gjendur në makinë.
Ndërkohë, edhe makina e blinduar ka qenë pa letra, me targa polake, duke mos pasur asnjë pronar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.