“USA Today”: Shqipëria, alternativa ideale për turistët që kërkojnë Evropën autentike
– Ballkani po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen, si një destinacion evropian më i përballueshëm dhe më pak i frekuentuar nga turistët, shkruan media amerikane “US Today”.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, veçohen për peizazhet e tyre mahnitëse natyrore, ndërthurjen e kulturave dhe raportin e shkëlqyer cilësi-çmim.
Sipas ekspertëve të udhëtimeve, rajoni u ofron vizitorëve, mundësinë për të zbuluar vende autentike, përpara se të kthehen në destinacione të turizmit masiv.
Në një kohë kur shumë destinacione evropiane janë të tejmbushura me turistë dhe gjithnjë e më të shtrenjta, Ballkani po shfaqet si një alternativë e re.
Përveç Kroacisë dhe Sllovenisë, pjesa tjetër e rajonit vazhdon të japë ndjesinë e një vendi ende të pazbuluar.
“Ballkani po kalon momentin e tij, sepse u ofron vizitorëve atë që Evropa Jugore ofronte 20 vite më parë, ndjesinë e zbulimit të vërtetë, çmime të shkëlqyera dhe përjetimin e të qenit në një vend të qetë, përpara se të zbulohen nga turmat madive”, tha Lee Thompson, drejtor i marketingut dhe bashkëthemelues i kompanisë së udhëtimeve aventurore “Flash Pack”, e cila organizon udhëtime për persona që udhëtojnë vetëm.
“Mund të udhëtosh lehtësisht nga një vend në tjetrin, të ndalosh në një restorant autentik lokal, ku nuk sheh pothuajse asnjë turist dhe të shijosh ushqime, që janë specialitete të banorëve vendas. Pikërisht këtë po kërkojnë turistët sot”, shtoi ai.
Një shembull i qartë është Shqipëria. Ajo ishte destinacioni numër një për vizitorët amerikanë të “Flash Pack”, gjatë vitit 2025, duke regjistruar një rritje prej 300 për qind, të rezervimeve brenda vetëm një viti.
“Nuk është aspak çudi që po përjeton një bum të tillë”, tha Thompson.
“Shqipëria të jep ndjesinë e Greqisë së dikurshme, përpara se ta zbulonte e gjithë bota. Është një perlë e fshehur e Evropës”, shtoi ai.
Nëse po planifikoni një udhëtim në Evropë, Shqipëria është ndër alternativat, që ia vlen të zbulohet.
Shqipëria – Destinacioni mesdhetar i përballueshëm
Ky vend i vogël malor, i vendosur në veri të Greqisë dhe në jug të Malit të Zi, është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe ecjeve malore, falë shtigjeve spektakolare në Alpet Shqiptare.
Bukuria e vendit nis vetëm pak minuta pasi largoheni nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ku rruga kalon mes kullotash që të kujtojnë peizazhet e ishujve grekë.
Ndoshta pjesa më tërheqëse është se Shqipëria është shumë më e përballueshme financiarisht, sesa destinacione si Greqia apo Zvicra.
“Shqipëria është një nga destinacionet më ekonomike në Evropë”, tha Thompson.
“Por nuk bëhet fjalë vetëm për çmimet. Shqipëria është gjithashtu një nga vendet më të bukura dhe ende më pak të zbuluara në kontinent”, shtoi ai.
Ekspertët këshillojnë që Tirana të përdoret si bazë për udhëtimin dhe të merret një makinë me qira për të eksploruar malet dhe plazhet.
Duke qenë se Shqipëria është relativisht e vogël, afërsisht sa shteti amerikan i Vermontit, lëvizja nga njëra zonë në tjetrën është e lehtë.
“Na pëlqeu jashtëzakonisht shumë të vizitonim kështjellat, vendet e mbrojtura nga UNESCO, të dilnim në qytet për aperitiv dhe thjesht të shijonim atmosferën duke vëzhguar jetën e përditshme”, tha krijuesja e përmbajtjeve për udhëtime Sara Campana.
“Të udhëtosh në Shqipëri, por edhe në Ballkan në përgjithësi, është çuditërisht e lehtë. Ka shumë mundësi transporti dhe çmimet janë shumë të favorshme, prandaj si Shqipëria ashtu edhe vendet fqinje arrihen pa vështirësi”, shtoi Campana.
Sipas Thompson, paketa turistike “Untouched Albania” e “Flash Pack” u krijua pasi shumë turistë, kërkonin një destinacion që të dukej ende i pazbuluar.
“Dhe, për momentin, Shqipëria vazhdon ta ofrojë pikërisht këtë ndjesi”, tha ai.
“Vendi ka kaluar një proces të shpejtë zhvillimi në fushën e turizmit. Nuk ka qenë gjithmonë destinacioni më i lehtë për t’u operuar, por gjërat po përmirësohen me ritme të shpejta. Po ndërtohen më shumë rrugë, po rritet kultura e mikpritjes dhe bukuria e saj natyrore është e pamohueshme”, theksoi ai.
Fakte kryesore:
Shqipëria ishte destinacioni më i kërkuar nga turistët amerikanë të “Flash Pack” në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 300 për qind të rezervimeve.
Shqipëria ka një sipërfaqe afërsisht sa shteti amerikan i Vermontit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është porta kryesore hyrëse, ndërsa Alpet Shqiptare janë ndër destinacionet më të preferuara për ecje malore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.