USS Colorado, nëndetësja e parë amerikane që do të dislokohet në Australi
Shtetet e Bashkuara kanë caktuar nëndetësen sulmuese me energji bërthamore USS Colorado, të klasit Virginia, si njësinë e parë amerikane që do t’i bashkohet forcës së nëndetëseve me bazë në Australi, duke filluar nga fundi i vitit 2027, njoftoi të hënën Pentagoni.
Vendimi u bë i ditur nga sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, zëvendëskryeministri dhe ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, si dhe sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting.
Nisma është pjesë e partneritetit të sigurisë AUKUS mes SHBA-së, Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe pajisjen e Australisë me nëndetëse sulmuese me energji bërthamore, por të armatosura konvencionalisht.
Forca Rrotulluese e Nëndetëseve-Perëndim do të operojë nga baza detare HMAS Stirling, në Australinë Perëndimore. Baza pritet të presë me rotacion deri në katër nëndetëse amerikane dhe një britanike.
Sipas Pentagonit, aktivitetet e mirëmbajtjes që do të zhvillohen në Australi synojnë të forcojnë aftësitë teknike dhe infrastrukturore të vendit për mirëmbajtjen e nëndetëseve bërthamore amerikane dhe britanike.
Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm në përgatitjen e Australisë për të operuar dhe mirëmbajtur flotën e saj të ardhshme të nëndetëseve, si dhe në forcimin e pranisë strategjike të tre vendeve në rajonin Indo-Paqësor.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.