VARSHAVË – Një helikopter ushtarak rus shkel hapësirën ajrore polake
VARSHAVË, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Një helikopter ushtarak rus ka shkelur për pak çaste hapësirën ajrore të Polonisë, në një incident që zgjati 42 sekonda, njoftoi sot ushtria polake.
”Polonia aktivizoi avionët luftarakë dhe vendosi në gatishmëri sistemet e saj të mbrojtjes ajrore”, bëri të ditur ushtria.
Helikopteri, tip “Mi-8”, u afrua nga drejtimi i enklavës ruse të Kaliningradit dhe hyri në hapësirën ajrore polake në veri të qytetit Braniewo.
Sipas një deklarate të ushtrisë polake, natyra e incidentit sugjeron se Rusia po teston edhe një herë gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të Polonisë.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ndan një kufi prej 232 kilometrash me rajonin e Kaliningradit, i cili i përket Rusisë.
Në Poloni dhe në shtetet baltike ekzistojnë shqetësime se Rusia mund të ndërmarrë provokime kundër territorit të NATO-s, për shkak të vështirësive të saj në luftën në Ukrainë.
Kohët e fundit, disa sulme me dronë kanë goditur objektiva në Ukrainën perëndimore, pranë kufirit me Poloninë.
Në atë zonë është sulmuar gjithashtu një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.