Veliaj mbetet në qeli pas 19 muajsh/ Manjani e Rumano ngrenë pikëpyetje: A bie vendimi ndesh me Kushtetuesen?
Pas 19 muajsh në qeli, kryebashkiaku i Tiranës humbi edhe betejën e fundit për një masë më të butë sigurie. Avokatët ngrenë pikëpyetje mbi proporcionalitetin dhe përputhjen me jurisprudencën e Kushtetueses.
Arsyetimi i plotë pritet brenda 60 ditëve, ndërsa procesi për themelin vijon pa një vendim për fajësinë.
Gjykata e Lartë në unanimitet la në fuqi masën arrest me burg ndaj Erion Veliajt, Kryetar bashkie në detyrë, kjo dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila në dy vendime të tjera i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme më shumë argumentim në lidhje me proporcionalitetin e masës së dhënë. Sipas vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të vetë Gjykatës së Lartë, dhënë në maj të këtij viti, për masat e sigurisë duhen vlerësuar konkretisht rrezikshmëria e veprës dhe e personit, mënyra e kryerjes, pasojat, personaliteti, sjellja dhe rrethanat individuale e familjare. Për rastin Veliaj duhet parë se cilat janë rreziqet konkrete që gjykata ka konstatuar dhe, mbi të gjitha, pse masat alternative nuk janë konsideruar të mjaftueshme pas 19 muajsh paraburgim?
Juristi Gentjan Rumano tha se “Duhet të vlerësohet në raport me rrezikshmërinë e subjektit që kërkohet masa e sigurimit. Parë në këtë këndvështrim zoti Veliaj nuk përmbush kushtet të qëndrojë në burg. Nuk ka rrezikshmëri shoqërore. Është kryetar bashkie i zgjedhur më shumë se sa gjysma e banorëve të Tiranës. Nëse rrezikon sistemin, le të aplikohet pezullimi. Duhet parë mundësia pse nuk është e përshtatshme një masë më e butë.”
Vendimi i zbardhur ende nuk është publikuar dhe pritet të zbardhet brenda 60 ditëve, për të kuptuar se pse gjykata ka marrë këtë vendim që në syrin e juristëve krijon një përplasje.
Juristi Ylli Manjani thotë se ka një përplasje mes Vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë “Dukshëm kemi një përplasje ndërmjet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese vendimet e vetë Gjykatës së Lartë për të unifikuar dhe njehsuar praktikën në raport me masat e sigurisë dhe me rastin Veliaj. Pyetjet që lindin janë të shumta. Së pari, A e njeh autoritetin e Gjykatës Kushtetuese Gjykata e Lartë, së dyti, Gjykata e Lartë a e njeh autoritetin e vetes së vet. Së treti, çfarë mesazhi jep Gjykata e Lartë kur nuk zbaton vendimet e veta dhe të Gjykatës Kushtetuese.”
Ndërkohë Veliaj humbi betejën e radhës për masën e sigurisë. Ai qëndron në paraburgimin e Durrësit që nga 10 shkurti i vitit të kaluar teksa çështja është në fazën e gjykimit dhe gjykata ende nuk është shprehur për fajësinë e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.