VKM/ Nga paga te antikorrupsioni, roli dhe përgjegjësitë e reja të Ministrisë së Administratës Publike!
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e plotë të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike.
Sipas këtij akti, misioni kryesor i këtij dikasteri mbetet “zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve”, si dhe “përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, forcimi i pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies”.
Me anë të këtij vendimi, shfuqizohet zyrtarisht Vendimi nr. 522 i shtatorit 2025 (i cili rregullonte përgjegjësitë e dikurshme të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin), duke kaluar tashmë të gjitha kompetencat drejt një strukture të konsoliduar ministrore.
Fushat kryesore të veprimtarisë dhe kompetencat e reja
Vendimi përcakton disa shtylla kryesore mbi të cilat do të shtrihet veprimtaria e ministrisë. Sektorët strategjikë përfshijnë drejtimi i reformës në administratë, rekrutimi mbi bazën e meritës, zhvillimi i karrierës dhe ngritja profesionale përmes Departamentit të Administratës Publike (DAP) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA); hartimi i politikave dhe propozimi i akteve ligjore për pagat, trajtimet financiare dhe përfitimet e punonjësve në institucionet publike; monitorimi i cilësisë, afateve dhe përvojës së qytetarëve me shërbimet publike, si dhe thjeshtimi i procedurave për reduktimin e barrës administrative; garantimi i ndërveprimit mes administratës dhe individëve apo grupeve të interesit në procedurat vendimmarrëse; identifikimi dhe minimizimi i rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk.
Përveç mbulimit të veprimtarisë ligjvënëse dhe monitoruese, vendimi i ngarkon ministrit përgjegjës dy role kyçe me karakter ndërinstitucional, informon RTSH.
Vendimi specifikon se “ministri përgjegjës për administratën publike ka rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit”. Gjithashtu, i njëjti drejtues do të shërbejë zyrtarisht si “bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur”.
Gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve, ministria do të bashkëpunojë me institucionet e tjera shtetërore, duke “respektuar kompetencat e tyre, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.