Xhama të thyer e godina të shkatërruara, çfarë la pas protesta para Ministrisë së Arsimit
Një ditë pas protestës studentore të 13 tetorit, para godinës së Ministrisë së Arsimit, Klan News sjell pamjet e asaj se çfarë la pas revolta dhe përplasjet fizike me policinë.
Gazetari Maksi Rama, para godinës së Ministrisë së Arsimit, tregon xhamat e thyer, oborri është mbushur me gurë e pllaka të shkulura e trotuare të shkatërruar.
Përveç Ministrisë së Arsimit studentët hynë brenda dhe godinës së Bashkisë së Tiranës, ku ndezën flakadanë.
Ajo që në fill të orës 14:00 u duk një protestë paqësore, ashtu sikurse ishim mësuar të shikonim prej majit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kaloi në një protestë të dhunshme.
Studentë dhe qytetarë të cilët iu bashkuan revoltës, hodhën gurë e sende të forta në drejtim të godinës së Ministrisë. Çka solli më pas ndërhyrjen e forcave të policisë, të cilët me ujë e gaz lotësjellës tentuan të shpërndanin protestuesit.
Orët më pas, pasuan me përplasje të ashpra fizike mes protestuesve dhe policisë. Shumë protestues dhe disa efektivë mbetën të lënduar, ndërkohë që policia nisi shoqërimet. Deri ditën e sotme, 14 tetor, policia ka vënë nën hetim 49 persona dhe ka arrestuar 16 të tjerë.
Pamjet e protestës bënë xhiron në rrjetet sociale, madje edhe në mediat botërore. Kryefjalë e pamjeve të publikuara u bë një djalë, të cilit iu thye këmba dhe u morr nga policët, dhe një student i cili shihet i lidhur te dera kryesore e ministrisë.
Lidhur me këto raste të rënda, janë pezulluar nga detyra 4 efektivë dhe shefi i Rendit në komisariatin numër 1.
Ndërkohë sipas gazetarit Maksi Rama është planifikuar që protesta e studentëve të vazhdojë edhe ditën e sotme, megjithëse mbetet e paqartë nëse do të vazhdojë njësoj me skenarin e djeshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.