‘Xixa’ në Komision/ Bojkoti i avokatëve, Xhafaj: ILD mund të ndërhyjë, të shqetësuar! Metani: Këndvështrim personal
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale këtë të martë ka trajtuar dhe diskutuar lidhur me bojkotin e avokatëve.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj gjatë diskutimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani u shpreh se kjo është një mosmarrëveshje e hapur publike mes avokatëve dhe GJKKO-së.
Ai shtoi se pasojat janë direkte tek sistemi, dhënia e drejtësisë dhe qytetarët drejtpërdrejt. Xhafaj ndër të tjera pyeti Metanin nëse ILD mund të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje të ligjshme dhe që ngërçi të tejkalohet.
Metani, nga ana e tij theksoi se institucioni që drejton e ndjek me shumë vëmendje, por vepron brenda kufizimeve të kompetencave ligjore.
Xhafaj: Sot kemi një ngërç të krijuar në GJKKO, Shkalla e Parë. Ka një mosmarrëveshje të hapur publike mes avokatëve dhe GJKKO-së. Ka një mundësi, përpjekje, ndërhyrje nga ana e Inspektorit për ta zgjidhur, se në finale ajo që e pëson është sistemi, dhënia e drejtësisë dhe qytetarët drejtpërdrejt. Ne e kemi shqetësimin. E shihni ju veten, në kompetencat që ju jep ligji, që mund të ndërhyni për të gjetur një zgjidhje të ligjshme, të drejtë, që ky ngërç të tejkalohet?
Metani: E ndjekim me shumë vëmendje dhe çdo ditë kemi diskutime për atë që ndodh. Për të qenë strikt ligjorë, me kompetencat që ILD-së, se e kemi parë në këtë këndvështrim, së pari do të degjeneronte apo do të shkonte drejt një shkeljeje të natyrës disiplinore. Së dyti, ajo që thatë është më shumë pjesë e një tryeze mes palëve që kanë këtë diskutim dhe kjo shkon përtej kompetencave që ka ILD, por edhe ka më tepër lidhje me karakteret njerëzore sesa me diskutimet ligjore që mund të bëhen midis palëve. Nuk kam një mendim sot, por e ndjekim me shumë vëmendje për aq sa na takon. Si institucion do të ishim të gatshëm të ndihmonim për aq sa mund të ndihmonim, por nuk është një gjë që varet vetëm nga dëshira e Inspektorit të ILD-së.
Xhafaj: Unë mendoj paksa ndryshe. Ka një pozicion nga ku mund të ndërhyjë Inspektori, se aty cenohet një parim shumë i rëndësishëm, që është procesi i rregullt ligjor. Ka dhe një pasojë të drejtpërdrejtë, që është zgjatja e proceseve gjyqësore dhe, nga ky këndvështrim, mund të ndërhyjë Inspektori. Unë nuk e vë në diskutim aktin. Ne të gjithë bashkë na shqetëson ngërçi i krijuar, efekti që ai sjell. Se cila është zgjidhja u takon palëve, se ata nuk janë individë, por institucione. Do të ishte e arsyeshme një ndërhyrje. I përmbahem asaj mbi të cilën është ndërtuar vetë sistemi. Flasim për balancat dhe kontrollin reciprok dhe, në këtë aspekt, ILD ka një rol të rëndësishëm për ta ruajtur këtë balancë. Ne jemi përfshirë në tri çështje të rëndësishme: çështjet penale, procesin e rregullt ligjor dhe e treta lidhet me çështjet e prapambetura, në kuptimin e tejkalimit normal.
Metani: Ky është dhe këndvështrimi personal, që raporti që duhet të ketë ky Komision me ILD-në, së pari, për të ndarë këtu shqetësimet që ne kemi, më pas Komisioni të ushtrojë edhe rolin e tij për mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë.
Së dyti, ashtu siç thatë, do ta shikoja me shumë partneritet marrëdhënien midis Komisionit dhe Inspektorit të Drejtësisë. Madje edhe Komisioni mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ushtrimin e inspektimeve tematike të caktuara për shkak të veprimtarisë së vet. ILD do t’i përgjigjet, aq sa mundemi, me ndihmën tonë dhe me inspektimet tona, pikërisht për të shkuar te ai qëllim i përbashkët: që Komisioni të dalë me një mendim të pjekur për shqetësimet që ka sistemi i drejtësisë, problematikat dhe mënyrën se si duhet të rregullohen këto shqetësime.
Ndërkohë që, në konkluzion, po, padyshim jemi gati të ndihmojmë Komisionin dhe të jemi partnerë në këtë proces, aq sa mund t’ju ndihmojmë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.