Zbardhet vendimi për “Diellën”, Kushtetuesja: Krijimi i platformës është kompetencë e Kryeministrit, nuk ka personalitet juridik dhe nuk ushtron funksione publike
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin përfundimtar me të cilin rrëzoi kërkesën e 39 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e pjesëve të dy dekreteve presidenciale që lidhen me ministren virtuale të Inteligjencës Artificiale “Diella”. Në vendimin e marrë më 8 tetor dhe të shpallur më 9 nëntor 2026, gjykata arriti në përfundimin se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ dhe se deputetët kërkues nuk legjitimohen për të ngritur një mosmarrëveshje kushtetuese kompetencash.
Kërkesa ishte depozituar nga 39 deputetë të Partisë Demokratike, të përfaqësuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe avokati Marash Logu. Ata kundërshtonin nenin 2 të dekretit nr. 331 të 12 shtatorit 2025 për emërimin e Kryeministrit, si dhe një pjesë të dekretit nr. 333 të 15 shtatorit 2025 për emërimin e Këshillit të Ministrave. Në të dy dekretet parashikohej që Kryeministri të ushtronte edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”.
Sipas deputetëve demokratë, Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese duke krijuar një strukturë të re ministrore dhe duke i ngarkuar Kryeministrit përgjegjësi që nuk parashikohen nga Kushtetuta apo ligji. Ata argumentuan gjithashtu se ishte cenuar parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe rregullat kushtetuese për emërimin e ministrave.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara nuk përbëjnë bazë juridike të mjaftueshme për krijimin e kompetencave, detyrimeve apo strukturave të reja shtetërore.
Sipas gjykatës, përcaktimet e përfshira në dekretet presidenciale i drejtohen një subjekti konkret, Kryeministrit të emëruar, dhe nuk vendosin rregulla të përgjithshme e abstrakte që mund të konsiderohen akte normative. Për këtë arsye, ato nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë.
“Nuk rezulton se ai përbën, në vetvete, bazë juridike autonome dhe të mjaftueshme për krijimin e kompetencave, detyrimeve ose strukturave të reja”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Një nga pikat kryesore të vendimit lidhet me statusin juridik të “Diellës”. Gjykata konstatoi se nga përmbajtja e dekreteve nuk rezulton që “Diella” të jetë emëruar anëtare e Këshillit të Ministrave apo funksionare e një organi kushtetues.
Në vendim theksohet se “Diella” është një platformë e inteligjencës artificiale, pa personalitet juridik dhe pa zotësi për të vepruar në mënyrë të pavarur.
Gjykata vëren se platforma nuk përfaqëson një person fizik real me të drejta dhe detyrime juridike dhe, si e tillë, nuk mund të konsiderohet ministri apo institucion kushtetues. Sipas saj, sistemi teknologjik shërben si instrument ndihmës për përpunimin më të shpejtë dhe efikas të të dhënave, veçanërisht në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve.
Përtej çështjes konkrete, Gjykata Kushtetuese ka dhënë edhe një interpretim më të gjerë mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në administratën publike.
Sipas vendimit, përdorimi i IA-së nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike. Gjykata thekson se kompetencat burojnë nga Kushtetuta dhe ligji dhe i përkasin organeve apo funksionarëve të cilëve u janë atribuar.
“Përdorimi i një mjeti teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë ose zëvendësojë këtë kompetencë”, argumenton gjykata.
Po ashtu, ajo kërkon që përdorimi i inteligjencës artificiale të mbështetet në një kuadër të qartë ligjor, duke garantuar mbikëqyrje njerëzore, siguri kibernetike, mbrojtje të të dhënave personale, mosdiskriminim dhe kontroll institucional të vazhdueshëm.
Gjykata nënvizon se përgjegjësia dhe llogaridhënia për çdo veprim të kryer përmes sistemeve të inteligjencës artificiale mbetet gjithmonë te organi apo funksionari publik që zotëron kompetencën ligjore.
Lidhur me pretendimin për konflikt kompetencash mes institucioneve, Gjykata vlerësoi se një e pesta e deputetëve nuk kishte legjitimim kushtetues për ta vënë në lëvizje gjykatën mbi këtë bazë, pasi nuk u identifikua cenimi i një kompetence që u përket drejtpërdrejt deputetëve si subjekt kushtetues.
Për rrjedhojë, gjykata vendosi të mos hyjë në shqyrtimin në themel të pretendimeve të ngritura nga opozita.
“Në këto rrethana, nuk ka vend për shqyrtimin në themel të pretendimeve të kërkuesit”, thuhet në vendim.
Vendimi u mor me shumicë votash, ndërsa gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi mbajtën qëndrim në pakicë.
Sipas tyre, çështja duhej të ishte shqyrtuar në themel, pasi një sistem i inteligjencës artificiale nuk mund të ushtrojë funksionin kushtetues të ministrit. Ata argumentojnë se funksioni i ministrit kërkon domosdoshmërisht një person fizik që mban përgjegjësi politike dhe juridike për vendimmarrjen.
Në mendimin e pakicës thuhet se paraqitja e “Diellës” si ministre nuk mund të konsiderohet thjesht zgjedhje politike apo çështje imazhi, pasi bie ndesh me kuadrin ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të Këshillit të Ministrave.
Pavarësisht këtij qëndrimi, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve të opozitës. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.