INDI – Smogu mbulon Nju Delhin pas festimeve të Diwalit, ndotja e ajrit arrin nivele alarmante
– Një shtresë e dendur smogu ka mbuluar kryeqytetin indian, Nju Delhi, pas festimeve të festivalit hindu të Diwalit, duke përkeqësuar ndjeshëm ndotjen e ajrit dhe duke shtuar shqetësimet për shëndetin e miliona banorëve, sipas “Reuters”.
Pavarësisht kufizimeve të vendosura për përdorimin e fishekzjarrëve, shumë banorë ndezën mjete piroteknike gjatë mbrëmjes së djeshme, duke çliruar në atmosferë sasi të mëdha tymi dhe grimcash të imëta ndotëse.
Sipas të dhënave të Bordit Qendror për Kontrollin e Ndotjes në Indi, indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) në Nju Delhi, arriti në 370 në orën 09:00 të së hënës, një nivel i klasifikuar si “shumë i keq”.
Në disa zona të kryeqytetit, vlerat kaluan 400, duke hyrë në kategorinë “i rëndë”, që tregon ndotje shumë të lartë.
Stacionet e monitorimit në zonat DTU dhe Burari Crossing regjistruan vlera deri në 437.
Shtresa e dendur e smogut uli gjithashtu dukshmërinë në rrugë dhe në zonat përreth kryeqytetit.
Gjykata Supreme e Indisë kishte lejuar përdorimin vetëm të fishekzjarrëve të certifikuar si më pak ndotës, në orare të kufizuara gjatë fundjavës së festimeve.
Megjithatë, kufizimet nuk u respektuan plotësisht dhe fishekzjarrët u përdorën edhe gjatë orëve të vona të natës.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, ndotja në kryeqytet ishte përkeqësuar edhe përpara festimeve të Diwalit, ndërsa përdorimi i fishekzjarrëve shtoi më tej grimcat ndotëse në atmosferë.
Nju Delhi, një metropol me rreth 20 milionë banorë, përballet çdo vit me një krizë të rëndë të ndotjes së ajrit gjatë muajve të ftohtë.
Situata ndikohet nga emetimet e automjeteve dhe industrisë, pluhuri nga ndërtimet, si dhe djegia e mbetjeve bujqësore në shtetet fqinje të Punjabit dhe Haryanës.
Temperaturat më të ulëta, erërat e dobëta dhe mungesa e qarkullimit të ajrit, favorizojnë grumbullimin e ndotësve pranë sipërfaqes së tokës, duke bërë që smogu të qëndrojë mbi qytet për disa ditë.
Autoritetet kanë vendosur kufizime për aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e gjeneratorëve me naftë, ndërsa masat përfshijnë edhe kufizime për fishekzjarrët.
Megjithatë, këto ndërhyrje nuk kanë arritur të shmangin përsëritjen e krizës së ndotjes.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjedisit, paralajmërojnë se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë irritime të fytit dhe syve, si dhe të përkeqësojë problemet e frymëmarrjes.
Ata theksojnë nevojën për masa afatgjata, përfshirë përdorimin e energjisë më të pastër dhe kontrollin më të rreptë të emetimeve nga automjetet dhe industria./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.