Zulfaj: Kosova nuk po rri në vend pas aplikimit në BE, po përgatitet për pyetësorin e Komisionit Evropian
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Kosova nuk po qëndron në vend pas aplikimit për anëtarësim në BE, por po përgatitet për hapat e ardhshëm të procesit integrues.
Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se aplikimi ka qenë hapi i parë i domosdoshëm, pavarësisht kritikave se Kosova mund të jetë ngutur.
“Kosova nuk po rri në vend. Në mandatin e parë ne e kemi bërë aplikimin. Kishte shumë zëra që thoshin se nuk duhet të aplikohej, se Kosova është ngutur, mirëpo nuk mund të pranohesh në Bashkimin Evropian pa aplikuar”, deklaroi Zulfaj.
Ai pranoi se Kosova ka sfidë shtesë për shkak të pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, duke shtuar se për këtë nevojitet “përpjekje e dyfishtë”.
– YouTube www.youtube.com
Zulfaj bëri të ditur se institucionet do të fillojnë përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian edhe para se ai të dërgohet zyrtarisht nga Brukseli.
“Ne do të fillojmë shumë shpejt përgjigjet ndaj pyetësorit, ende pa na ardhur nga Komisioni Evropian. Pse duhet t’i vonojmë pastaj katër muaj përgjigjet?”, tha ai.
Sipas tij, pyetësori është proces voluminoz, me mijëra faqe përgjigje që duhet të përgatiten nga institucionet e Kosovës.
Zulfaj tha se Kosova synon të kursejë kohë edhe në procesin e “screening”, duke u përgatitur paraprakisht dhe duke marrë përvojë nga Shqipëria.
“Gjatë përgjigjes së pyetësorit do ta kemi këtë në mendje, ashtu që të kursejmë dy-tri vite kohë në procesin e screening”, u shpreh ai.
Ai tregoi se ka zhvilluar takime në Tiranë me kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, për të marrë përvojat e Shqipërisë në procesin negociues me BE-në.
Kryenegociatori tha se Kosova po punon edhe me pesë vendet mosnjohëse, ndërsa theksoi se ka aleatë të mjaftueshëm brenda BE-së.
“Mendoj që kemi aleatë të mjaftueshëm. Vendet e mëdha, sikurse Franca, Gjermania dhe Italia, kanë mbështetje, sepse e kanë shfaqur zgjerimin si prioritet strategjik”, deklaroi Zulfaj.
Ai shtoi se Kosova ka kërkuar të vlerësohet në bazë të meritave të saj dhe të mos mbahet peng nga mungesa e vullnetit të Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
“Ne kemi kërkuar që të vlerësohemi në meritën tonë dhe të mos na mbajë prapa mungesa e vullnetit të Serbisë për normalizim”, tha ai.
Në fund, Zulfaj theksoi se anëtarësimi në BE nuk është vetëm proces politik, por lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian për ne kuptohet si përmirësim i mirëqenies, i kualitetit të jetës, përmirësim i kualitetit të ajrit, ujë i pastër, energji e qëndrueshme, transport publik funksional, paga të mira dhe mirëqenie në Kosovë”, përfundoi Zulfaj./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.