“Zvërneci”, Rama: Për herë të parë në 35 vjet, mediat greke “po mbrojnë” atdheun tonë nga investimi 4 mld euro
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për mbulimin që mediat greke i kanë bërë situatës së krijuar në Zvërnec, duke e cilësuar të pazakontë mobilizimin e tyre, por duke mos kursyer as ironinë.
“Në 35 vite nuk e kam parë kurrë këtë mobilizim,” shkruan Rama, duke nënvizuar se për herë të parë mediat greke po shfaqen në krah të protestuesve shqiptarë.
Rama e lidh reagim me projektin që pritet të nisë në Zvërnec, një investim prej 4 miliardë eurosh, të cilin e cilësoi si “marramendës” dhe unik në rajon.
Sipas tij, projekti synon të sjellë hotelet më prestigjioze të botës, të hapë rreth 10 mijë vende pune cilësore, të rrisë prodhimin e përgjithshëm kombëtar me 4% deri në vitin 2030, si dhe të ndikojë në rritjen e pagave e pensioneve, duke ndjekur shembujt e vendeve fqinje si Mali i Zi.
Kryeministri shtoi se investimi do të sjellë rritje të vlerës së pronës për qytetarët e Vlorës dhe më gjerë, do të fuqizojë zinxhirin e vlerës për bujqit, peshkatarët, transportuesit dhe të gjitha subjektet e lidhura, ndërsa pritet të tërheqë edhe figura të njohura të artit, sportit, modës e biznesit që do të vizitojnë dhe investojnë në zonë.
“’35 vjet s’e kam parë kurrë këtë mobilizim’ Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës. E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë Eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.
Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë… Po lëri këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, e cila edhe kaq edhe u teprua shumë, se në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum. Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur dmth”, shkruan Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.