240 mijë dollarë për avokatët! Ish-bashkëshorti i Halle Berry i drejtohet sërish gjykatës

Konflikti mes aktores së njohur Halle Berry dhe ish-bashkëshortit të saj, Olivier Martinez, po merr një tjetër kthesë. Këtë herë, aktori francez i është drejtuar gjykatës me një kërkesë financiare, duke kërkuar që Berry të mbulojë 240 mijë dollarë shpenzime ligjore të krijuara gjatë betejës së tyre për kujdestarinë e djalit.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Daily Mail, Martinez pretendon se nuk ka mundësi financiare për të përballuar kostot e avokatëve dhe kërkon që ish-bashkëshortja e tij të marrë përsipër këtë faturë.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, aktori argumenton se, pavarësisht se të dy janë pjesë e industrisë së filmit, të ardhurat dhe pasuritë e tyre janë shumë të ndryshme.
Madje, sipas deklaratës së tij financiare, Martinez ka përfituar vetëm 288.33 dollarë nga pagesat e mbetura për projektet e mëparshme gjatë muajit të fundit.
Përplasja mes dy aktorëve lidhet me kujdestarinë e djalit të tyre, Maceo, 13 vjeç. Martinez kishte ngritur akuza ndaj Berry-t për sjellje të dhunshme ndaj të miturit, pretendime që aktorja i ka mohuar.
Çështja ka kaluar në disa seanca gjyqësore, ndërsa të dy prindërit kanë paraqitur versionet e tyre për konfliktin familjar.
Gjykata ka vendosur të rrëzojë urdhrin e përkohshëm të mbrojtjes ndaj Halle Berry-t, por ka lënë në fuqi kufizimet për takimet e saj me djalin, përfshirë ndalimin e qëndrimeve gjatë natës.
Ndërkohë, është kërkuar edhe pjesëmarrja e nënës dhe djalit në seanca terapie të përbashkëta.
Halle Berry dhe Olivier Martinez u martuan në vitin 2013 dhe u divorcuan dy vite më vonë. Pavarësisht ndarjes, përplasjet mes tyre për çështjet e prindërimit duket se vazhdojnë edhe sot.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.