Politika

“44 shërbime online, certifikatat e gjendjes civile në 12 shtete/ Xhaçka: Në total 1.3 milion aplikime, do heqim rezervat e vulës Apostille

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi sot se “ka pasur një shtim të ndjeshëm në numrit të shërbimeve që ofrohen nga përfaqësitë tona diplomatike, duke ofruar plot 44 shërbime. Ndërsa në total janë marrë në total 1.3 milion aplikime”.

Në fjalën e saj në prezantimin e programit “Rruga drejt 25 prillit – Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin”, me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Edi Rama, ministrja Xhaçka theksoi se “lëshimi i certifikatave të gjendjes civile është shtrirë në në 12 shtete tjera, në Itali, Hungari, Sllovaki, Austri, Bullgari, Republika Çeke, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal i Zi, Rumani, Turqi dhe Zvicër dhe do të shtrihet gjatë këtij viti në 9 vende të tjera. Ndërkohë që ofrohet sot edhe Vërtetimi mbi Verifikimin e Gjendjes Gjyqësore (Dëshmi Penaliteti), Vërtetimi mbi Verifikimin e Lejes së Drejtimit, Vërtetimi i Vetë Deklarimit për Humbjen, Vjedhjen, Bllokimin dhe Dëmtimin të Pasaportës dhe Kartës Identitetit edhe para nëpunësit konsullor, etj”.

Ndërkohë që krahas shtimit të shërbimeve është bërë edhe shkurtimi i dokumentacionit për shërbimet ku për procedurat konsullore kërkohen rreth 40 % më pak dokumente për 39 shërbime, një reduktim prej plot 75 dokumentesh. Dhe duhet theksuar këtu që formati i këtyre dokumenteve dhe procedura e shërbimeve janë sot plotësisht të standardizuara. Që do të thotë që kemi 82 formate dokumentesh të njehsuara dhe gjurmim dhe verifikim të statusit të çdo praktike. Krahas këtyre përmirësimeve, është bërë një punë shumë e mirë edhe për të përmirësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve shqiptarë anembanë botës tek shërbimet. Aksesi është përmirësuar duke ndjekur format tradicionale, pra duke shtuar zyrat fizike ku ofrohen këto shërbime”, – nënvizoi Xhaçka.

Sipas saj, janë shtuar zyrat konsullore për aplikime për pasaporta dhe karta identiteti pranë Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri, Paris, Francë; në Berlin, Gjermani; në Stokholm, Suedi por edhe pranë Konsullatave në Bari për Italinë, Stamboll për Turqinë, duke e çuar kështu 14 numrin total të zyrave të aplikimit në mbarë botën.

Ministrja Xhaçka bëri të ditur se “dua të theksoj në këtë pikë faktin që brenda vitit 2022 do të bëhet plani i hapjes së përfaqësive të përbashkëta konsullore me Kosovën, por edhe hapja e përfaqësive të reja në SHBA dhe Kanada”.

“Impakti i këtyre ndryshimeve është qartësisht i dukshëm. Nëse në vitin 2017 ofroheshin 185 572 shërbime, në fund të vitit 2019 shërbimet arritën në 754 921, pra katër herë më shumë. Ndryshimi ka qenë jo vetëm sasior, por edhe cilësor, pasi tanimë shërbimi me prani fizike të qytetarit kryhet brenda ditës së punës, me verifikime paraprake, ndërkohë që konsultimi kryhet online dhe  shërbimet monitorohen nga diplomatët”, – tha Xhaçka.

Por, vijoi ministrja,  padyshim transformimi më i madh, ai që mund të quhet me të vërtetë një revolucion, është ofrimi i shërbimeve online përmes portalit e-albania.

“Falë mundësive që ofron teknologjia jemi sot në një pikë ku 90% e shërbimeve ofrohen në distancë dhe 10% me një paraqitje të vetme kur bëhet fjalë për detyrime ligjore siç janë prokurat, dokumente biometrike, etj. Këto shërbime konsullore dixhitale janë prezantuar si standard në fillim te vitit 2017, si një mënyrë efikase për të përballuar fluksin e për të garantuar veprime të sigura e të shpejta, ku në portalin e-albania janë publikuar 38 shërbime konsullore, për 25 prej të cilave qytetarët s’kanë fare nevojë të paraqiten fizikisht, ndërkohë që një portal tjetër, e-visa.al është i dedikuar vetëm për vizat”, – tha ministrja Xhaçka.

Ajo shtoi se shërbimet dixhitale eleminojnë atë që ishte makthi i qytetarëve shqiptarë jashtë vendit si lënia e ditës së punës, sorollatja, udhëtimi në distanca të largëta, kostot, dhe pasigurinë për marrjen e shërbimit pasi kishe bërë gjithë këto sakrifica.

“Dixhitalizimi i shërbimit konsullor nga ana tjetër, e mban shërbimin konsullor transparent, të monitorueshëm në kohë reale duke reduktuar ndjeshëm korrupsionin”, u shpreh Xhaçka.

Duke folur edhe për diplomacinë ministrja Xhaçka tha se “është një fakt që gjatë viteve të fundit, diplomacia shqiptare ka arritur një nivel pjekurie që nuk e kishte njohur prej shumë e shumë kohësh. Shqipëria është sot një vend që respektohet për politikën e saj të jashtme në rajon, në BE, në NATO. Vlerësohet për politikat konstruktive që ka luajtur në vijimësi në rajon duke u kthyer realisht në një faktor stabiliteti dhe pikë referimi për çdo iniciativë që ndodh në Ballkanin Perëndimor”.

Ne, vijoi ministrja,  jemi sot në prag të një tjetër momenti historik, pasi Shqipëria është në prag të zgjedhjes së saj si anëtare jo permanente e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022 – 2023.

“Por nëse ka pasur në këtë kohë të shkurtër që unë kam drejtuar MEPJ, një çështje për të cilën kam marrë më shumë telefonata, kërkesa, emaile, ankesa e lutje, e dini kush ka qenë? Çështja e njohjes reciproke të patentave me Italinë! Nëse do ta vendosnim nivelin e interesimit për çështje të ndryshme në një grafik, marrëveshja e patentave do të eklipsonte çdo çështje tjetër”, – shtoi ministrja.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “qindra mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Amerikë, Kanada, Angli e kushedi sa e sa shtete të tjera, kanë vetëm një mundësi për të marrë shërbimet që ju nevojiten e që meritojnë: përfaqësitë e shërbimit të jashtëm, misionet e konsullatat”.

“Ne do të vazhdojmë punën për dixhitalizimin e plotë të aktivitetit dhe shërbimeve konsullore e dhënies së informacionit. Duke filluar fillimisht procesin për heqjen e plotë të rezervave të vulës Apostille në të cilën përfshihen të gjitha vendet e BE-së apo realizimin e pagesës online për të gjithë shërbimet që ofrohen nëpërmjet portalit e-Albania cka shihet si një nevojë imediate”, – premtoi Xhaçka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button