Abdixhiku: I kërkova Osmanit të ndihmonte LDK-në, pa të do ta kishim më vështirë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar sot rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Abdixhiku në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se koha e shkurtër që nga zgjedhjet e fundit ‘pamundësoi’ ndryshim të madh në rezultat.
Ai megjithatë shtoi se çdo ndryshim eventual për të mirë është i mirëpritur marrë parasysh kohën e organizimit të zgjedhjeve.
“Ne kishim një periudhë shumë të shkurtë prej zgjedhjeve të fundit. Është e paprecedent për Republikën e Kosovës të mbahen tre zgjedhje dhe e paprecedent për një bartës të proceseve që në periudha shumë të ngushta kohore të kemi përballje me zgjedhje të jashtëzakonshme, në raste të tilla zakonisht pritjet janë minimaliste për të pasur ndryshim. Rrjedhimisht çdo ndryshim eventual për të mirë është i mirëpritur marrë parasysh kohën e shkurtë”, tha Abdixhiku, raporton klankosova.tv.
Tutje, kreu i LDK-së tha se vota e diasporës ndryshoi ‘fatin’ e formimit të institucioneve.
Sipas tij, pa votat e diasporës partitë politike do duhej të gjenin konsensus edhe në formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Abdixhiku foli edhe për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në bashkëpunim me LDK-në gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar kontributin e saj dhe duke theksuar se kishte kërkuar personalisht mbështetjen e saj për ringritjen e partisë.
Sipas tij, Osmani kishte mundësi të mos përfshihej fare në procesin zgjedhor, por kishte pranuar të kontribuonte në një periudhë kur, sipas Abdixhikut, ekzistonin projeksione për dobësimin e LDK-së.
Ai shtoi se refuzon të mendojë se do të dilnin më mirë në zgjedhje pa Vjosa Osmanin.
“Natyrisht, opsioni ishte që Vjosa të mos merrte fare pjesë në procesin zgjedhor. Por unë i kërkova me ngulm të na ndihmonte. Kisha nisur diskutime në të gjitha degët e LDK-së dhe me të gjithë akterët për të parë se si do të pritej ky bashkim. Pashë se kishte vullnet për një gjë të tillë. Madje, si pjesë e këtij vullneti, hoqa dorë edhe nga privilegji i të qenit i pari në listë, për aq sa kjo do ta ndihmonte LDK-në. E vlerësoj kontributin e Vjosa Osmanit në këtë drejtim. Ajo kishte mundësi të tërhiqej. Kishte jo vetëm pozitën, por edhe karrierën e suksesshme si presidente. Megjithatë, pranoi të japë kontribut. Kjo ndodhi sepse kishim parë projeksione që flisnin për dobësimin dhe rrënimin e LDK-së. Prandaj ishte e domosdoshme forcimi i LDK-së si pol politik përballë një pushteti që synonte të kishte gjithçka.”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.