Aktivisti shqiptar tregon si u ndaluan nga forcat izraelite: U përballëm me dhunë dhe poshtërim
Shqiptari Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, ka rrëfyer për “Now” me Ilir Kazaferin përvojën e tij gjatë ndalimit nga forcat izraelite.
Sipas tij, operacioni ka nisur me ndërhyrjen e dy skafeve të shpejta që kanë kapur anijen dhe kanë përdorur armë për të ndaluar lëvizjen e saj, ndërsa më pas aktivistët janë lidhur dhe marrë në pyetje në kushte presioni dhe dhune.
Goxhaj thotë se më pas janë mbajtur për ditë të tëra në kushte të rënda ndalimi, përfshirë edhe një anije të përshtatur si burg, ndërsa pretendon se gjatë gjithë procesit është ushtruar dhunë sistematike dhe trajtim poshtërues ndaj aktivistëve.
Ai përshkruan një situatë të vazhdueshme presioni fizik dhe psikologjik, duke theksuar se një pjesë e pjesëmarrësve kanë pësuar plagë dhe fraktura dhe janë trajtuar më pas në Stamboll.
“U ndaluam në mes të ujërave ndërkombëtare. Erdhën dy skafe të shpejta që kapën anijen tonë dhe qëlluan me armë që të ndalonim. Më pas hipën në varkë, na lidhën sytë. Kur nuk u përgjigjeshim pyetjeve, na qëllonin. Ata nuk toleronin asnjë fjalë apo ankesë. Mua më lidhën sytë, por këmbëngula pasi më kishin shtrënguar duart dhe ishte një dhimbje e padurueshme, dhe nga këmbëngulja ime më liruan më pas. Të gjithë pjesëmarrësit janë dhunuar sistematikisht; rreth 15 për qind e tyre kanë fraktura dhe plagë dhe po kurohen në spitalin në Stamboll, ku edhe mua më kontrolluan. Më pas kemi qëndruar në një anije të përshtatur si burg për dy ditë e dy net, brenda kontenjerëve. Më pas dolëm nga ajo anije dhe na mblodhën të gjithëve në një tendë të madhe, me kokën dhe duart e lidhura. Aty na vizitoi edhe ministri famëkeq izraelit; unë isha aty dhe e pashë prezencën e tij. Kemi qëndruar në atë situatë rreth 3–4 orë, derisa u përfunduan të gjitha procedurat për t’u dërguar në burg. I gjithë udhëtimi ka qenë me dhunë të vazhdueshme dhe poshtërim të qëllimshëm; ishte një situatë shumë e rëndë, por mendoj se e kaluam me sukses. Aktivistët janë dhunuar në mënyrë të vazhdueshme; edhe gratë janë trajtuar njësoj. Në një video të publikuar, kur ministri ekstremist erdhi për t’u mburrur, ndërsa një grua thërriti me zë të lartë ‘Palestina e lirë’ dhe u dhunua për këtë. Një nga anëtaret e anijes sime, një grua, u qëllua me armë në kofshë dhe i është hapur një plagë e madhe; më pas u trajtua në anije dhe u dërgua në spital. Gratë rriheshin, dhunoheshin dhe poshtëroheshin njësoj si burrat. Kryefjala e gjithë kësaj ishte torturë dhe poshtërim i kombinuar. Ishim gjatë gjithë kohës me kokën poshtë, nuk mund të shikonim majtas apo djathtas; çdo lëvizje e kokës shoqërohej me goditje, shkelma apo shuplaka. Në një moment më thanë ‘ule kokën’, dhe kur u duk sikur kundërshtova, ma ulën me forcë në dysheme dhe më vendosën gjunjët ushtarët. Jemi ushqyer keq; kishim ujë dhe bukë të thatë, ndërsa në burg kishim sanduiç, por nuk kam ankesa për ushqimin, por për dhunën, po. Shqetësimi i tyre ishte pse ne po tentonim të thyenim bllokadën e Gazës, të cilën ata e konsiderojnë të ligjshme, ndërkohë që ne e shohim si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe kemi të drejtë morale të dërgojmë ndihma në solidaritet me popullin e Gazës. Kam 15 vite që ndjek çështjen e Palestinës, por sidomos dy vitet e fundit situata është bërë e padurueshme. Pamjet që kam parë më kanë lënë gjurmë të thella dhe më kanë shtyrë të bëj këtë hap të rrezikshëm. Një motiv tjetër ka qenë edhe një lloj reagimi ndaj qeverisë sonë, e cila ka zgjedhur të bëhet palë me një shtet që unë e konsideroj genocidal dhe që do të mbetet një faqe e turpshme në histori. Roli i diplomacisë ka qenë aktiv; jam ndjerë i mbështetur nga ambasadorja shqiptare dhe stafi i saj në Stamboll, si dhe nga konsulli i përgjithshëm shqiptar. I falënderoj për kujdesin dhe mbështetjen. Në mbyllje, dua të them se aktivizimi im për Palestinën do të vazhdojë dhe vendimi për pjesëmarrje në flotilje të ardhshme mbetet për t’u parë në të ardhmen”, tha ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.