Analiza e javës së 10-të të Kategorisë së Parë/ Iliria “blindon” kreun, Besa humb tjetër mundësi! Flamurtari e ka me gjykimin
Java e 10-të e Kategorisë së Parë: Iliria regjistron fitoren e tretë radhazi dhe ruan kreun, Bylisi, Kukësi dhe Besa ndjekin me nga 18 pikë, ndërsa Flamurtari polemizon me arbitrimin në Peshkopi.
Java e 10-të e Kategorisë së Parë konfirmoi edhe një herë rivalitetin e fortë në garën për kreun, por mbi të gjitha forcën e Ilirisë, që vazhdon të mbajë nën kontroll vendin e parë. Fushëkrujasit regjistruan fitoren e tretë radhazi, duke ruajtur distancën nga ndjekësit, ndërsa gara pas tyre mbetet tepër e ngjeshur. Bylisi, Kukësi dhe Besa kanë nga 18 pikë, por me ecuri të ndryshme në këtë fazë të kampionatit.
Mallakastriotët konfirmuan momentin pozitiv, verilindorët u rikthyen te suksesi, ndërsa kavajasit humbën mundësinë për të përfituar nga ndalesa e rivalëve. Një tjetër fitore e rëndësishme ishte ajo e Pogradecit, që i dha fund serisë negative dhe u afrua me grupin e kreut.
Ndërkohë, Flamurtari u ndal në Peshkopi në një takim të shoqëruar me polemika të forta për arbitrimin. Në fundin e renditjes, situata mbetet shqetësuese për Orikun, ndërsa Burreli mori një pikë që mund të shërbejë si pikënisje për të dalë nga kriza.
ILIRIA 1 ORIKU 0
Iliria regjistroi fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur minimalisht Orikun dhe duke ruajtur kreun e renditjes së Kategorisë së Parë pas 10 javësh kampionat. Skuadra e trajnerit Dritan Smajlit konfirmon ambiciet për ngjitjen në Kategorinë Superiore, edhe pse përballë debutuesve nga Vlora nuk e pati të lehtë trepikëshin.
Oriku u vendos mirë në mbrojtje, duke i mbyllur hapësirat vendasve. Goli vendimtar erdhi në minutën e 26-të, kur Darnell Mavanga Kithambo shndërroi në gol një 11-metërsh. Në pjesën e dytë, Iliria pati mundësi për të dyfishuar rezultatin, por portieri Anderson shmangu golat e tjerë. Fitorja e çon skuadrën në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Oriku mbetet i fundit me vetëm dy pikë.
KUKËSI 2 SOPOTI 0
Kukësi është rikthyer te suksesi, duke mposhtur 2-0 Sopotin në “Kukës Arena”. Përballë verilindorëve ishte skuadra e drejtuar nga ish-kapiteni Rraman Hallaçi, por vendasit arritën të merrnin tri pikët e plota. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Aleks Silva përfitoi nga një gabim i mbrojtjes mike dhe shënoi në minutën e 43-të.
Në pjesën e dytë, Kukësi administroi avantazhin dhe e dyfishoi atë në minutën e 65-të me Kristi Bespallovin, vetëm dy minuta pas tri zëvendësimeve të kryera nga stafi teknik. Goli erdhi pas një aksioni model të verilindorëve me shumë pasime dhe që u finalizua me sukses nga sulmuesi shijakas. Me këtë fitore, verilindorët shkojnë në kuotën e 18 pikëve dhe mbajnë vendin e tretë, po aq sa edhe Bylisi i vendit të dytë, ndërsa Sopoti mbetet me shtatë pikë.
BYLIS 2 KASTRIOTI 1
Bylisi regjistroi fitoren e dytë radhazi, për herë të parë këtë sezon nga ballshiotët, duke mposhtur 2-1 Kastriotin në stadiumin “Adush Muçaj”. Skuadra e trajnerit Arlindo Rustemit, pavarësisht mungesave, arriti të marrë një sukses të rëndësishëm në garën për kreun. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 62-të me nigerianin 19-vjeçar Usman Riruvai.
Kastrioti reagoi dhe barazoi në të 78-ën me Edmond Hoxhën, por përgjigjja e Bylisit ishte e menjëhershme. Vetëm tri minuta më vonë, Aurel Marku shënoi golin e fitores, duke vulosur tri pikët për ballshiotët. Bylisi ngjitet i dyti në kuotën e 18 pikëve, tre më pak se Iliria kryesuese, ndërsa Kastrioti mbetet me 11.
BESA 1 BURRELI 1
Besa nuk arriti të përfitonte nga ndalesat e rivalëve, duke u ndalur në barazimin 1-1 përballë Burrelit në shtëpi dhe duke vërtetuar edhe njëherë ecurinë me oshilacione në kampionat. Kavajasit humbën mundësinë për t’iu afruar Ilirisë, ndërsa matjanët morën një pikë të rëndësishme në përpjekjen për të dalë nga kriza.
BurrelI kaloi në avantazh në minutën e 76-të me Albi Xhabrahimin, i cili nuk festoi përballë ish-skuadrës së tij. Reagimi i Besës erdhi katër minuta më vonë, kur Ermir Spahiu shndërroi në gol një 11-metërsh. Në minutat e fundit, të dyja skuadrat kërkuan fitoren, por rezultati nuk ndryshoi. Kjo ishte pika e parë për Burrelin nën drejtimin e trajnerit Klevis Dalipit, ndërsa Besa mbetet me 18 pikë.
POGRADECI 1 BESËLIDHJA 0
Pogradeci i është rikthyer fitores, duke mposhtur minimalisht Besëlidhjen në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”. Liqenorët i dhanë fund një periudhe me rezultate jo bindëse dhe rifituan terren në garën për kreun.
Takimi u vendos në minutën e 54-t, kur kapiteni Paolo Kasmollari dha një pasim të shkëlqyer për Godsuill Çinuendun, gol i cili solli edhe festimin “e çmendur” të trajnerit Emiljano Çela, i cili ditën e sotme surprizoi me dorëheqjen. Sulmuesi nigerian manovroi bukur në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke siguruar tri pikët për skuadrën liqenore. Pogradeci shkon në kuotën e 17 pikëve dhe mbetet te fasho e tretë e pretendentëve, ndërsa Besëlidhja mbetet me 14.
KORABI 0 FLAMURTARI 0
Java u mbyll me barazimin pa gola mes Korabit dhe Flamurtarit, në një ndeshje të luftuar, ku nuk munguan rastet dhe polemikat. Momenti më i diskutuar ishte minuta e 36-të, kur vlonjatët pretenduan për penallti pas një prekjeje të topit me dorë nga mbrojtësi Xhika. Gjyqtari Silvio Dyrmishi lejoi vazhdimin e lojës, duke shkaktuar protesta të forta.
Tensioni u përshkallëzua edhe jashtë fushës. Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, kërkoi sqarime pranë dhomës së arbitrave dhe më pas u kërkoi lojtarëve të përgatiteshin për t’u larguar. Pas ndërhyrjes së delegatit Viktor Gjoni dhe shfaqjes së pamjeve të episodit, situata u qetësua dhe vlonjatët pranuan të vazhdonin takimin. Pjesa e dytë nisi me pesë minuta vonesë, por asnjëra skuadër nuk arriti të shënonte. Flamurtari shkon në 16 pikë, ndërsa Korabi në 12, duke marrë një barazim më të vlefshëm për objektivin e mbijetesës.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.