Kërnaja shpërthen në akuza: Arbitrat po i mohojnë fitoret Flamurtarit, nuk e di nëse kanë punë dhe fëmijë
Trajneri i Flamurtarit, Oltijon Kërnaja, akuzoi arbitrat pas barazimit 0-0 në Peshkopi ndaj Korabit, duke pretenduar se i mohuan dy penallti skuadrës së tij.
Flamurtari është ndalur mes polemikash dhe akuzash në transfertën e Peshkopisë, ku përballja me Korabin përfundoi në barazim pa gola, 0-0. Vlonjatët janë larguar të pakënaqur nga rezultati, por mbi të gjitha nga gjykimi i ndeshjes, duke pretenduar se arbitri kryesor, Silvio Dyrmishi, u ka mohuar dy penallti.
Situata ka qenë e tensionuar që në pushimin e ndeshjes, kur presidenti Sinan Idrizi zbriti nga tribuna në fushë dhe, sipas komunikimit fillestar, mendoi edhe mundësinë e braktisjes së takimit. Pakënaqësia e drejtuesve kuqezi u pasqyrua edhe në deklaratën e trajnerit Oltijon Kërnaja, i cili pas ndeshjes nuk i kurseu kritikat ndaj arbitrimit, duke ngritur akuza të forta për vendimet e gjyqtarëve.
“Nuk jam i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës, por nga situata e krijuar pasi kishim lojtarë që kishin kaluar një helmim, mes tyre edhe Lushaj. Është shumë e vështirë të luash në këtë mënyrë dhe nuk e di kush mban përgjegjësi. Fati i ndeshjes duhet t’i lihet fushës dhe jo arbitrat të vendosin për rezultatin. Ka qenë vërtet një tmerr ajo që kam parë me sytë e mi. Nuk dua t’i bëj publike të gjitha tani, por do të flas pak më vonë.
Dy penallti të padhëna dhe tre raste pozicionesh jashtë loje për vendasit, ku lojtarët ishin thuajse 10 metra në pozicion të parregullt dhe anësori vazhdonte lojën. Nuk e di nëse kanë punë dhe fëmijë vetë ata që veprojnë në këtë mënyrë. Tashmë është bërë e zakonshme, pasi kemi gjashtë ndeshje jashtë fushe ku dominojmë, por nuk na lejojnë të shënojmë gol.
Kundërshtari le të bëjë lojën e vet, por besoj se duhet të ketë më shumë respekt për Flamurtarin, për këtë emër të madh të futbollit shqiptar. Jemi një ekip i mirëinvestuar dhe nuk kemi nevojë që disa arbitra të ndërhyjnë në ndeshje. Çudia më e madhe është se gabojnë në ndeshjet tona dhe javën tjetër i shohim në Superiore.
Shpresoj që personat kompetentë t’i analizojnë drejt këto raste. Nëse lojtari im gabon, ne e nxjerrim jashtë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me gjyqtarët: nëse gabojnë, duhet të largohen nga arbitrimi dhe jo të promovohen një kategori më lart, deklaroi trajneri i Flamurtarit, Oltijon Kërnaja, për mediat pas barazimit 0-0 në Peshkopi ndaj Korabit.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.