Ankaraja u përpoq të përjashtonte Christodoulides-in nga COP31, por Nikozia siguroi ftesën
Republika e Qipros ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, e cila do të mbahet në nëntor në Antalia të Turqisë, siç njofton ProtoThema. Ftesa vjen pas një përballjeje diplomatike disamujore rreth përpjekjeve të Ankarasë për ta përjashtuar Nikozinë nga procedurat e organizimit të samitit.
Në Nikozia zhvillimi vlerësohet si rezultat i përpjekjeve të bashkërenduara diplomatike të qeverisë qipriote, por edhe i presionit që u ushtrua ndaj Turqisë nga institucionet europiane dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Një burim qeveritar në Nikozia, sipas ProtoThema-s, konfirmoi se është marrë letra e ftesës për pjesëmarrjen në COP31, pa saktësuar megjithatë se nga kush saktësisht është dërguar ftesa.
Deri më tani nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një ftesë personale të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan drejtuar presidentit qipriot Nikos Christodoulides. Samiti i Liderëve në Antalia pritet të mbledhë në nëntor krerët e shteteve për çështjet e klimës, ndërsa prezenca qipriote ishte vënë në dyshim nga bllokimi i Ankarasë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.