Arkivat dhurojnë dokumente të rralla për Muzeun e Alfabetit në Manastir
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), në bashkëpunim me Arkivin Historik dhe Diplomatik të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), do t’i dhurojë Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir riprodhime të dokumenteve të rralla që lidhen me Kongresin e vitit 1908.
Nisma do të shënojë një tjetër kontribut në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike e gjuhësore shqiptare, në kuadër të Ditës së Alfabetit, më 22 nëntor.
Vendimi u bë i ditur gjatë një takimi mes ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, konsullit shqiptar të nderit, Imer Selmani, drejtoreshës së Shërbimeve Arkivore në DPA, Elsa Saka, ambasadores së MEPJ-së, Mira Hoxha, dhe drejtorit të Muzeut të Alfabetit, Nuer Arsllani.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve diskutuan hapat konkretë për pasurimin e muzeut me dokumente historike, me synimin që brezat e rinj të njihen më nga afër me rëndësinë e Kongresit të Manastirit dhe përpjekjet e të parëve për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Angazhimi i DPA-së për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Manastir është shtrirë edhe në nisma të tjera. Institucioni ka dhuruar dhjetëra botime për librarinë e vetme shqipe në qytet, “Linkest”, duke kontribuar në promovimin e gjuhës amtare mes të rinjve.
Në këtë vatër të rëndësishme të shqiptarisë është ngritur më herët edhe një Kënd Arkivor, ndërsa aty është zhvilluar një edicion i Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Këto iniciativa synojnë të forcojnë lidhjet me trashëgiminë kombëtare dhe të mbajnë gjallë kujtesën historike për brezat e ardhshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.