Atentat ndaj vëllait të Fabio Dushkut në Selanik, arrestohen tre shqiptarë
Policia greke ka zbardhur një atentat me armë zjarri të ndodhur në janar të vitit 2025 në Selanik, duke arrestuar tre shtetas shqiptarë të dyshuar për përfshirje në tentativën e vrasjes së 32-vjeçarit Danjel Dushku.
Operacioni është zhvilluar në orët e mëngjesit të së mërkurës nga oficerët e Nëndrejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore, në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga autoritetet greke.
Në pranga kanë rënë Robert Elezaj, 33 vjeç, Sergo Elezaj, 31 vjeç dhe Rueldi Dragjoshi, 26 vjeç. Ndërkohë, Danjel Dushku është shpallur në kërkim nga autoritetet greke.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 8 janarit 2025, kur tre të dyshuarit iu afruan Dushkut në një zonë të Selanikut dhe dyshohet se hapën zjarr në drejtim të tij.
Policia greke pretendon se Robert Elezaj ka qëlluar me pistoletë ndaj Dushkut, por nuk ka arritur ta godasë. Nga të shtënat është plagosur një person që ndodhej pranë tij, ndërsa është dëmtuar edhe një dyqan në zonë.
Edhe Rueldi Dragjoshi dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të Dushkut, pa e prekur atë. Ndërkohë, Sergo Elezaj dyshohet se i ka drejtuar armën 32-vjeçarit, por autoritetet greke nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse ai ka qëlluar.
Sipas policisë, Sergo Elezaj dyshohet se ka pasur rol edhe në organizimin e ngjarjes. Ai mësohet se ka transportuar dy personat e tjerë drejt vendit të atentatit me një automjet të marrë me qira dhe ka qëndruar me ta deri në momentin e largimit.
Nga ana tjetër, autoritetet greke deklarojnë se edhe Danjel Dushku ka përdorur armë zjarri gjatë përplasjes, duke qëlluar në drejtim të personave të arrestuar. Të shtënat e tij nuk kanë shkaktuar të plagosur, por kanë dëmtuar automjetin e përdorur nga të dyshuarit dhe një tjetër makinë të parkuar.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë.

Danjel Dushku



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.