AUSTRALI – OpenAI i kërkon ndjesë qeverisë pas aksesit të paautorizuar të faqeve të saj
SIDNEJ, 29 shtator /ATSH-DPA/ – OpenAI ka kërkuar publikisht falje sot pasi një prej modeleve të saj të inteligjencës artificiale (IA) fitoi akses të paautorizuar në disa faqe interneti të qeverisë australiane.
Kryeministri australian Anthony Albanese bëri të ditur javën e kaluar se një agjent i OpenAI kishte ndërhyrë në të paktën një faqe qeveritare.
Incidenti kishte ndodhur në qershor, por autoritetet australiane u njoftuan vetëm në shtator, përmes një emaili të dërguar në një adresë publike.
Në deklaratën e publikuar sot OpenAI tha se gjatë proceseve të brendshme të trajnimit dhe vlerësimit, modelet e saj kishin hyrë në katër faqe interneti të qeverisë australiane në mënyra për të cilat nuk kishin autorizim.
Kompania pranoi gjithashtu se nuk e kishte menaxhuar siç duhet reagimin pas incidentit. OpenAI tha se dëshiron të “rindërtojë besimin” e australianëve dhe se po merr masa për të përmirësuar mënyrën se si trajton incidente të tilla në të ardhmen.
Sipas kompanisë, rasti përfaqëson “një lloj të ri incidenti kibernetik”, i cili tregon për një sfidë globale në zhvillim, ndërsa sistemet e IA-së bëhen gjithnjë e më të afta të kryejnë detyra në mënyrë autonome në internet.
OpenAI tha se do të vërë në dispozicion burime dhe ekspertizë për agjencitë australiane të prekura.
Kompania planifikon gjithashtu të krijojë një task-forcë në Australi, e cila do të hartojë rekomandime për politikat dhe mënyrat e menaxhimit të rreziqeve që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale.
Kompania ka premtuar gjithashtu mbështetje financiare për përpjekjet e qeverisë australiane për forcimin e mbrojtjes kibernetike, përmes krediteve nga një fond prej 1 miliard dollarësh të dedikuar për këtë qëllim.
Jason Kwon, shefi i strategjisë së OpenAI, pritet të paraqitet në një seancë të një komisioni qeveritar australian në fillim të tetorit.
Kompania tha se ka ende shumë punë përpara për të rikthyer besimin dhe se mban përgjegjësi për të treguar se ndryshimet e premtuara po zbatohen realisht./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.