Baton Haxhiu: SPAK është aleat i protestës dhe protesta produkt i saj
Analisti Baton Haxhiu ka analizuar në “Now” rolin e SPAK-ut në lidhje me protestën qytetare dhe ndikimin që ka kjo lëvizje.
Haxhiu thekson se SPAK-u është një aleat i protestës dhe se kjo e fundit është në një mënyrë produkt i tij.
“Mendoj që njerëzit në rrugë kanë ndjerë disa arsye pse janë aty. E para, janë të pakënaqur me sistemin. E dyta, janë të pakënaqur me të vjetrën dhe e vjetra për ta është përcaktuese se kush është. Dhe e treta, e kanë një aleat, SPAK-un.
SPAK-u është aleat i protestës dhe protesta është produkti i saj në një farë mënyre. Për arsye se kur lexohen dosjet dhe kur lexohet krimi brenda dosjeve, realisht krijon atë padijen për ngjarjet, për “deep state” që thuhet, ose për njerëzit e parëndësishëm që kanë qenë të rëndësishëm brenda sistemit… Krijojnë hidhërimin, krijojnë atë që quhet mllefi i brendshëm”, tha Haxhiu.
Sipas tij, protesta ka arritur të ndërgjegjësojë e të frikësojë si Partinë Socialiste ashtu edhe Partinë Demokratike. Haxhiu nënvizon se protesta e ka detyruar pushtetin të reflektojë dhe opozitën të kuptojë se nuk mund të vazhdojë më me një qasje pa ide konkrete.
“Ajo që ka arritur protesta, është që e ka ndërgjegjësuar edhe Partinë Socialiste, e ka ndërgjegjësuar edhe Partinë Demokratike, dhe natyrisht e kanë ndezur për të menduar edhe qeverinë. Ndryshe nuk do të kishim as besën, as pasqyrën dhe as atë reflektim se kjo ka ndodhur. Suksesi i protestës është ndërgjegjësimi maksimal i të dy kampeve, edhe pushtetit, edhe opozitës”, tha analisti.
Haxhiu shprehet se vetëm jetëgjatësia e protestës në shesh nuk mjafton me automatizëm për të ndryshuar sistemin apo qeverinë.
“Të jesh në protestë për ditë të tëra nuk do të thotë që ti mund ta ndërrosh sistemin. Jetëgjatësia e protestës nuk e ndryshon të vjetrën, dhe jetëgjatësia e protestës me kauzën të cilën e kanë bartur në sheshin para kryeministrisë nuk e bëjnë as ndryshimin e qeverisë, as ndryshimin e sistemit. Përtej ndërgjegjësimit, është krijuar edhe frika, se njerëzit tashmë janë të informuar.
Njerëzit realisht që janë informuar kanë pakënaqësinë maksimale. Njerëzit të cilët kanë informatën e cila buron nga SPAK-u.
SPAK-u ka prekur të paprekshmen. Dhe për faktin që e ka prekur të paprekshmen, atëherë e ka ndërtuar frikën si elementin e parë, ose në anën tjetër mungesën e frikës te protestuesit që janë aty.
Frika dhe mungesa e frikës janë dy elemente kryesore që i bëjnë njerëzit që masivisht ta kenë jetëgjatësinë e protestës çfarë e kanë pasur deri më tash”, përfundoi Baton Haxhiu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.