BM – Burnham: Johnson e la vendin me një marrëveshje të keqe të Brexit-it
LONDËR, 17 nëntor /ATSH-AA/ – Kryeministri britanik, Andy Burnham, hodhi poshtë kritikat e paraardhësit të tij, Boris Johnson, ndaj afrimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian duke e akuzuar atë se e la vendin me një “marrëveshje të keqe të Brexit-it”, për shkak të së cilës Britania e Madhe “ka vuajtur”.
Duke folur sot për “Sky News” para samitit të planifikuar për rivendosjen e marrëdhënieve me BE-në në Bruksel, Burnham tha se nuk do të marrë këshilla për marrëdhëniet me Evropën nga Johnson, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2019 deri në vitin 2022, përfshirë periudhën e negociatave për kushtet e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.
“Ai na la me një marrëveshje të keqe të Brexitit, e cila ka bërë që Britania të humbasë më shumë sesa të fitojë… Kam frikë se nuk do ta dëgjoj Boris Johnsonin për këtë çështje të veçantë”, tha Burnham.
“Ai dogji urat dhe krijoi shumë pakënaqësi. Si pasojë, Britania ka vuajtur”, shtoi ai.
Johnson i tha të dielën gazetës “The Telegraph” se ishte “çmenduri që çështja e Brexitit të rikthehet si përparësi politike”, duke shtuar se njerëzit do të votonin sërish për largimin nga BE-ja nëse do t’u jepej mundësia.
Kryeministri Burnham mbrojti afrimin e bashkëpunimit me bllokun evropian, duke thënë se përmirësimi i marrëdhënieve mund të ndihmojë në uljen e shpenzimeve familjare, përfshirë kostot e ushqimit dhe energjisë .
“Nëse mund ta ul koston e ushqimit, atëherë po”, tha ai, kur u pyet nëse rishikimi i Brexitit është përparësi për zgjedhësit e tij në Makerfield. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.